Partia Demokratike ka reaguar në lidhje me vrasjet e fundit të ndodhura në vend.
Në një deklaratë për mediat, shefi i Organizimit në PD, Klevis Balliu tha se në këto muajt e fundit vendi ka përjetuar terror dhe dramë, pasi kanë ndodhur të paktën 47 atentate në të cilat kanë humbur jetën 24 persona dhe janë plagosur 23 të tjerë.
Sakaq shtoi se gjendja kriminale në vend është kthyer në problem edhe për parterët evropianë, ku evidentohet se krimi i organizuar ka arritur nivele të larta.
Deklarata e plotë:
Në Ukrainë në 24 orë u vranë 11 civile, thënë ndryshe 1 vrasje për 4 milion banorë.
Në Shqipëri në 24 orë, 4 të vrarë ose 1 vrasje për 540 mijë banorë. Gjendja kriminale në vendin tonë ka arritur në nivele të paimagjinueshme. Në pak muaj qytetet tona kanë përjetuar terrorin dhe dramën e 47 atentateve, në të cilat kanë humbur jetën 24 persona dhe janë plagosur 23 të tjerë. Vendi është kthyer në një fushëbetejë të bandave, të cilat edhe nëse nuk kanë mbrojtjen e qeverisë, kanë ‘lejen’ e Edi Ramës: ‘hëngshi kokat’! Partia Demokratike, e cila ka rekord serioz, pozitiv dhe të pathyeshëm në luftën kundër bandave, bën sot një apel kombëtar: bandat luftohen duke i burgosur jo duke i lënë ta kthejnë Shqipërinë në Far Ëest, duke rrezikuar jetën, sigurinë, shëndetin psikologjik të qytetarëve.
Shqiptarët nuk mund të jenë një ‘dëm anësor’ në luftën e bandave. Shqiptarët janë përballur me pamje të tmerrshme, nga shpërthimet me tritol si ai i datës 11 Qershor, te vrasjet e dyfishta dhe trefishta, siç ishin rastet e Fushë Krujës, Vlorës dhe Elbasanit. Gjendja kriminale në Shqipëri është kthyer në problem edhe për partnerët tanë europianë. Raportet ndërkombëtare si ai i “Numbeos” e vënë Shqipërinë të dytën e Europën Jugore. Raporti i Departametit të Shtetit i datës 2 Mars evidenton se krimi i organizuar në vendin tonë ka arritur nivele të larta. Kryeprokurori i Antimafias Italiane ka deklaruar se fuqia e bandave shqiptare vjen nga lidhjet e ngushta me qeverinë dhe në veçanti evidenton pastrimin e parave në fushën e ndërtimit, çka ka sjellë dhe rritjen e çmimeve të apartamenteve. Ndërkaq inkriminimi i institucioneve të shtetit shqiptar, në veçanti të Policisë, ka minuar ne themel luftën ndaj bandave.
Partia Demokratike dënon ‘paktin me të keqen’ të Edi Ramës duke u lënë fushë të lirë bandave në aktivitet kriminal dhe larje hesapesh.
Me një qeveri të cilën banditët e konsiderojnë bandite si veten, Shqipëria është në rrezik.