Janë zbardhur detaje të reja në lidhje me gjetjen e rreth 500 mijë euro në një autobus, në portin e Durrësit.
U mësua se policia ka ndaluar shoferin e autobusit, shtetasin Elidin Çela.
Në dëshminë për policinë në momentin e ndalimit, Çela nuk ka dhënë asnjë shpjegim, por ka kërkuar avokat mbrojtës për të dhënë deklarimin.
“Kërkoj avokatin tim mbrojtës. Vetëm në prani të tij do të flas për policinë”, ka deklaruar shoferi.
Oficerët janë të bindur se Çela di më shumë për vendin e origjinës të shumës së parave të gjetur në autobus, ndërsa mësohet se operacioni është kryer nga Drejtoria e Policisë Tiranë.
Njoftimi i policisë:
Informacion paraprak.
Në portin e Durrësit, si rezultat i një hetimi njëmujor të kryer nga Policia Kriminale e DVP Durrës, për mundësinë e futjes së një shume të madhe eurosh në vendin tonë, nëpërmjet portit të Durrësit, gjatë ditës së sotme, në kuadër të operacionit policor të koduar “Eurot”, është ushtruar kontroll i imtësishëm nga Seksioni kundër Krimit Ekonomik dhe Financiar i DVP Durrës.
Si rezultat i informacioneve dhe kontrollit të imtësishëm, në pjesën e sipërme të një autobusi janë gjetur të fshehura 6 qese plasmasi, brenda të cilave kishte disa pako, me rreth 500 000 euro.
Nga Policia e DVP Durrës janë shoqëruar disa persona dhe vijon puna për numërimin e saktë të sasisë së eurove dhe për identifikimin e kapjen e personave të përfshirë.
Në përfundim të veprimeve do të japim informacion të plotë.