Në qendër të Beogradit, të premten mbahet tubimi i organizuar nga Partia Progresive Serbe (SNS) në pushtet, në kohën kur, me ftesën e opozitës, dhjetëra mijëra njerëz po protestojnë ditëve të fundit, të pakënaqur me reagimin e qeverisë ndaj vrasjeve masive që tronditën vendin.
Sipas gazetarëve të Radios Evropa e Lirë (REL), më pak se një orë para fillimit të tubimit, platoja para Kuvendit Popullor ishte mbushur plotësisht me njerëz.
Gjatë ditës në Beograd kanë arritur qindra autobusë nga qytetet e Serbisë, por edhe nga vendet përreth, me të cilët kanë arritur mbështetësit e SNS-së. SNS-ja e quajti tubimin “Serbia e shpresës”, ndërsa thirrjen për të marrë pjesë në të e bëri presidenti i Serbisë dhe lideri i SNS-së, Aleksandar Vuçiç, përmes deklaratave të tij.
Organizatat e shoqërisë civile dhe opozita kritikuan mbajtjen e tubimit dhe kërkuan anulimin e tij.
Partitë opozitare në Serbi akuzuan partinë e Vuçiçit se po bwn presion dhe kërcënime ndaj punonjësve të institucioneve shtetërore për të marrë pjesë në tubim. Pushteti hodhi poshtë pretendime të tilla. Një grup i organizatave të shoqërisë civile i bëri thirrje presidentit të Serbisë, më 23 maj, që të anulojë tubimin, në interes të qetësimit të tensioneve dhe parandalimit të ndarjeve dhe polarizimit të mëtejshëm në shoqëri.
Tubimi po mbahet në të njëjtin muaj kur 18 persona u vranë në dy vrasje masive në Serbi. Të dyshuarit janë arrestuar dhe kanë pranuar krimet. Si kundërpërgjigje, qeveria rriti sigurinë e shkollave dhe u bëri thirrje qytetarëve që t’i dorëzojnë armët e tyre në polici, pa pasoja. Ministri i Arsimit dha dorëheqjen.
Në protesta, opozita parashtroi kërkesa, ndër të tjera, për dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Bratislav Gashiq dhe drejtorit të Agjencisë për Siguri dhe Informacion (BIA), Aleksandar Vulin. Më herët, Vuçiç i cilësoi ato protesta si politizimin të tragjedisë./REL