Kryediplomati evropian Josep Borell në konferencën për media pas bisedimeve disa orëshe me kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiq, tha se s’kanë arritur marrëveshje lidhur me vendimin për targat dhe dokumentet e udhëtimit.
Borell tha se dy liderët u pajtuan që të vazhdojnë diskutimin dhe të rikthehen për bisedime para 1 shtatorit.
“Ne pamë rritje tensionesh për vendimin e targave dhe dokumenteve, komuniteti ndërkombëtar s’dëshiron të shohë eskalim të situatës dhe palët do të jenë përgjegjëse për të. Ne nuk arritëm marrëveshje sot, por s’është fundi i tregimit, dy liderët u pajtuan se procesi duhet të vazhdojë dhe diskutimi do të rikthehet në ditët e ardhshme dhe ka kohë deri më 1 shtator. Nuk dorëzohemi”, tha ai.
Shefi i Politikës së Jashtme u shpreh se dy liderëve ua ka kujtuar se takimi i thirrur sot s’është i rregullt por është takim në kohë krize.
“Nuk ishte takim normal, nuk ishte i rregullt, bashkë me Emisarin Lajcak, të cilin dua ta falënderoj për punën e mirë. Këtë takim e thirrëm sepse u ballafaquam me ngritje tensionesh në veri. U thashë dy liderëve ky ishte një takim në kohë krize dhe qëllimi ishte të qetësojmë situatën në terren”, tha Ai.
Ai tha po ashtu se Kurti dhe Vuçiq do ta kenë përgjegjësinë për çdo eskalim situate në veri.
“Mund të themi se ky takim ishte për përgjegjësinë e dy liderëve për të gjetur zgjidhje në mirëbesim për siguruar paqen dhe stabilitetin në veriun e Kosovës. Kjo ndodhi në kohën kritike të Evropës, me rikthimin e luftës në kontinentin tonë në Ukrainë dhe ky s’është moment për të ngritur tensione por për të gjetur zgjidhje”, tha Borell para gazetarëve.