Gjykata e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit (GJKKO) ka pranuar gjykimin e shkurtuar për ish-gjyqtaren e Krujës, Enkelejda Hoxha.
Ish-gjyqtarja Hoxha ndodhet në burg për korrupsion, pasi akuzohet se ka liruar disa “të fortë” të dënuar me burgim të përjetshëm. Me argumentin se nuk ka kush të kujdeset për fëmijët e saj, Enkelejda Hoxha kërkoi të lirohej, por GJKKO e rrëzoi kërkesën e saj më parë.
Përveç saj dhe 8 të pandehur të tjerë kanë kërkuar gjykim të shkurtuar në seancën paraprake. Ata janë: Aldo Tabaku, Manuela Mallkuçi, Bledar Petani, Saimir Petani, Altin Skëndaj, Gazmir Nezaj dhe Gentjan Nezaj. Isuf Tanuzi është i vetmi që nuk kërkoi gjykim të shkurtuar.
Enkelejda Hoxha u arrestua pas një hetimi të SPAK pasi dyshohet se ka abuzuar me detyrën duke mundësuar lirimin nga burgu të shumë emrave të njohur të botës së krimit. Hoxha u vu në pranga paraditen e 11 shkurtit bashkë me 9 persona të tjerë, në kuadër të një operacioni të mirëorganizuar nga SPAK, pasi ishte vënë në përgjim prej muajsh. Pikërisht më 11 shkurt, Hoxha, me skemën e përgatitur me ndihmën e bashkëpunëtorëve të saj, do të lironte të dënuarin për vrasje, Saimir Petani.
Gjyqtarja Enkelejda Hoxha akuzohet se ka marrë shuma nga 6 mijë deri në 12 mijë euro në këmbim të lirimit të të dënuarve për vrasje. Në skemë u zbulua edhe mjeku kardiolog Edvin Prifti pasi nga përgjimet rezultoi se kishte marrë ryshfet për të operuar në QSUT nënën e sekretares së gjykatës, Manuela Mallkuçi, por më vonë ai u la i lirë.
/Priza.al/