Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në panelin e Kongresit të Partisë së Socialistëve&Demokratëve Europianë, ka folur për sulmet kibernetike. Rama ka deklaruar se vendi ynë i ka përballuar me sukses sulmet kibernetike nga Irani.
Po ashtu në fjalën e tij, kryeministri ka theksuar se Shqipëria renditet e teta në Evropë dhe e 19-ta në botë për zhvillimin digjital.
“Ne u përballëm me një sulm të rëndë nga Irani në përpjekje për të fshirë të dhënat tona dhe për të shkatërruar sistemin tonë të shërbimeve online që është një sistem shumë i zhvilluar në Shqipëri.
Vetëm dje në treguesin e zhvillimit digjital të Kombeve të Bashkuara Shqipëria renditet e teta në Evropë dhe e 19-ta në botë që nënkupton që kemi një sistem të sofistikuar të shërbimeve online.
Ata na goditën në një pjesë strategjike të funksioneve tona të përditshme. Shqipëria është i vetmi vend në gjithë Evropën që kishte më shumë hebrenj, sepse hebrejtë u mbrojtën dhe nuk ka asnjë dëshmi që iu dorëzuan nazistëve. Kur Sllobodan Milosheviç nisi spastrimin etnik, rreth gjysmë milioni njerëz erdhën në Shqipëri. Kur filloi lufta në Afganistan ne i hapëm dyer mijëra afganëve që askush nuk donte t’i merrte. Ishte një situatë e sikletshme për tu parë që anëtarët e NATO-s patën idenë e tmerrshme të largoheshin pa ta. Ne nuk mund t’i shpëtonim të gjithë por shpëtuam një pjesë të tyre.
Kështu bëmë edhe me iranianët. Ata vriteshin në kampin “Liria” në Iran dhe ne vendosëm t’i merrnim. Por kjo erdhi me një çmim të tmerrshëm. Sulmi nuk mundi të fshinte të dhënat dhe ne i rikthyem në punë sistemet tona”, tha Rama.