Sllovakia zyrtarisht ndaloi përdorimin e vaksinave ruse Sputnik V të martën deklaroi ministria e shëndetësisë.
“Në total, më shumë se 18,500 njerëz janë vaksinuar me Sputnik V,” tha Zuzana Eliasova, një zëdhënëse e ministrisë së shëndetësisë.
Në muajin mars, Sllovakia ka blerë 200,000 doza Sputnik V, duke u bërë shteti i dytë anëtar i Bashkimit Evropian, pas Hungarisë, që furnizohet me të tilla.
Sputnik V nuk është miratuar nga Agjencia Evropiane e Barnave – EMA. Katër vaksinat e miratuara nga kjo agjenci janë: Pfizer/BioNTech, Moderna, AstraZeneca dhe Johnson&Johnson.
Blerjet e Sputnik V kanë shkaktuar reagime të mëdha politike në Sllovaki, ndërsa kërkesa për këtë vaksinë ka qenë e ulët.
Tre anëtarë të koalicionit qeverisës me katër parti kanë qenë kundër blerjeve. Polemikat kanë çuar në dorëheqjen e kryeministrit të atëhershëm, Igor Matoviç, dhe të ministrit të Shëndetësisë, Marek Krajci.
Qeveria e ristrukturuar, e kryesuar nga Eduard Heger, është formuar më 1 prill.
Në një intervistë për AFP-në në muajin qershor, Heger ka thënë se vendimi i Sllovakisë për të blerë vaksinën ruse është marrë kryesisht për shkak të presionit për furnizim në atë kohë dhe se ai nuk do të përsëritet.
“Vendimi është marrë nën ndikimin e fortë, ndoshta ndikimin më të fortë të pandemisë. Ne kishim nevojë për shumë vaksina”, ka thënë Heger.
Sllovakia, vend me 5.4 milionë banorë, ka regjistruar gjithsej 394,923 raste me koronavirus që nga fillimi i pandemisë, pranverën e kaluar.
Prej tyre, 12,548 pacientë kanë humbur jetën.
/Burimi: barrons/