Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar ditën e sotme një takim me ministrin e Jashtëm grek, Nikos Dendias. Kreu i qeverisë së Kosovës thekson se ata diskutuan për avancimin e marrëdhënieve të të dyja shteteve, si dhe për pritshmëritë për takimin e 18 marsit, në Ohër, me Presidentin serb, Vuçiç.
Kurti i shprehu edhe një herë ngushëllime ministrit Dendias dhe popullit grek për jetët e humbura në aksidentit tragjik për shkak të përplasjes së dy trenave që ndodhi në Greqi në javën e parë të marsit.
Ata folën për zhvillimet e fundit në vend dhe rajon, për procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë dhe për propozimin evropian për Marrëveshje Bazë.
“Diskutuam për marrëdhëniet bilaterale Kosovë-Greqi, se si mund t’i përmirësojmë ato në të gjitha sferat, por njëkohësisht edhe për zhvillimet në rajon përfshirë këtu edhe dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që do ta ketë takimin e radhës të nivelit të lartë në Ohër të Maqedonisë së Veriut të shtunën e ardhshme. Greqia është një mbështetëse e liberalizimit të Kosovës, e integrimit evropian dhe gjithashtu e normalizimit të plotë të marrëdhënive ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Pra, ne gjithmonë mund të llogarisim në mbështetjen e Greqisë për familjen e madhe evropiane, e cila është garantuesja më e mirë për kontinentin tonë, si për paqe e siguri dhe poashtu edhe për demokraci dhe mirëqenie”, ka thënë Kurti.
Ministri i Punëve të Jashtme i Greqisë, Nikos Dendias ka takuar edhe Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin.