Kryetari i LZHK-së, Dashmir Shehi ka deklaruar se qeveria nuk ka asnjë program për qytetarët, teksa na ndan shumë pak nga zgjedhjet e 25 prillit. Në emision ‘Opinion’, Shehi tha se opozita ka bërë një gjysmë programi për qytetarët, ndërsa PS ende nuk ka mbajtur premtimet e vitit 2013. Shehi thotë se debatet mes Presidentit Ilir Meta dhe kryeministrit Edi Rama cenojnë marrëdhëniet institucionale që bëjnë të mundur funksionimin e një shteti.
Më tej, aleati i PD tha se qytetarët shqiptarë janë të varfër dhe kjo gjë bën që ata të shtypen, ndërkohë nga ana tjetër, sipas tij, politikanët vjedhin në Shqipëri pasi korrupsioni nuk është më temë me rëndësi për qytetarët Shqiptarë.
“Opozita ka bërë një gjysmë programi, qeveria sot çfarë programi ka. Ky fillon do rregulloj depot e ujit do ju fus në punë. Ne kemi hallin e varfërisë dhe papunësisë. Shteti sot nuk është më shtet, shteti ka raporte me institucionet me njëra-tjerat. Kemi konflikt mes presidentit dhe kryeministrit, ky nuk është shtet. Parlament nuk kemi prej dy vitesh, gjykata jo e jo. Populli shqiptar thotë kemi hall papunësisë, fukarallëku shtyp çdo gjë. Tema e mëdhaja të një shoqërie që mund të rrëshqas nuk janë tema për këtu. Prandaj këtu vjedhin të gjithë me qejf se këtu për popullin korrupsioni nuk është më temë”, tha Shehi.