Një 27-vjeçar është arrestuar në Kukës, pasi rezultonte në kërkim nga autoritetet spanjolle për trafikim të lëndëve narkotike, organizatë kriminale dhe falsifikim të dokumenteve.
Shtetasi me iniciale A.K., akuzohet nga autoritetet gjyqësore në Spanjë për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, “Organizata kriminale” dhe “Falsifikim i dokumenteve”, parashikuar nga Kodi Penal i Spanjës.
Njoftimi i Policisë:
Morinë, Kukës
Finalizohet operacioni policor i koduar “Alias”, për kapjen e personave të shpallur në kërkim nga drejtësia spanjolle.
Operacioni policor, i zhvilluar nga DVKM Kukës, në bashkëpunim me DVP Kukës dhe Interpol Tirana.
Vihet në pranga, me qëllim ekstradimi drejt Spanjës, 27-vjeçari i shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafikim të lëndëve narkotike, organizatë kriminale dhe falsifikim të dokumenteve.
Shërbimet e DRKM Kukës, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Kukës dhe Interpol Tirana, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Alias”, si rezultat i të cilit u bë e mundur kapja dhe arrestimin provizor, me qëllim ekstradimin drejt Spanjës, e shtetasit A. K., 27 vjeç, banues në Fier.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi autoritetet gjyqësore në Spanjë kanë lëshuar urdhër arresti ndërkombëtar, për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, “Organizata kriminale” dhe “Falsifikim i dokumenteve”, parashikuar nga Kodi Penal i Spanjës.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet ligjzbatuese spanjolle, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Spanjës.