Në kërkim nga Interpol Roma, por me pasuri ‘marramendëse’ në Shqipëri, SPAK kërkon konfiskimin e pronave të Armand dhe Gerti Markut

SPAK ka kërkuar nga Gjykata e Posaçme të konfiskojë pasuritë e Armand Marku dhe Gerti Marku, të cilët janë të shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafik droge në Itali. Sipas SPAK këto pasuri janë vënë nga aktiviteti kriminal që ata kanë ushtruar në shtetin fqinj dhe se burimet e të ardhurave të tyre nuk justifikojnë pasuritë e vëna. Në ‘sitën’ e SPAK janë edhe pasuritë e familjarëve të Armand dhe Gerti Markut.

SPAK kërkon nga GJKKO konfiskimin e hotel ‘Harbor’ e ndodhur në zonën “Turizëm Kanali i Çukës” Sarandë, në pronësi të shtetasit Petro Branko dhe pasurine e paluajtshme e llojit njësi shërbimi, me sipërfaqe 51 m2, e ndodhur në rrugën Don Bosco, Tiranë, e blerë në vitin 2017 me çmim 105 000 euro. Gjithashtu një pishine po në Sarandë, dyqan në Tiranë dhe një trualli.

Hotel Harbor
Hotel Harbor

Si u arrestuan në Itali?

Në vitin 2014 një organizatë kriminale që merrej me trafikimin lëndëve narkotike u shpërbë nga policia italiane ndërsa u  lëshuan 36 urdhër arreste. Pas një operacioni të gjerë të policisë italiane në Firence dhe Milano u sekuestruan rreth 2 ton lëndë narkotike e llojeve të ndryshme.  Organizata, e përbërë kryesisht nga shqiptarët, kishte bazën e saj të operacioneve në Holandë, Belgjikë dhe Shqipëri, ndërsa drejtohej nga  Edmond e Gerti Marku si dhe Ditmir Vuçaj.

Armand Marku dhe Gerti Marku, (Ledio Hallkokondi) janë shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma/Itali, me datë 09.10.2020, pasi autoritetet Gjyqësore të Firences, Itali me vendimin penal nr.9065/15 RGNR-5609/19 RG GIP, datë 25.11.2019, kanë lëshuar urdhër arresti ndërkombëtar, për veprën penale “Pjesmarrje në Organizatë Kriminale me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”, parashikuar nga Kodi Penal Italian. Gjykata e Milanos më herët ka dënuar Armand Marku  me 6 vjet e dy muaj heqje lirie për trafik narkotikësh dhe bashkëpunim në krim.

Hetimet e SPAK

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, ka përfunduar verifikimet ne lidhje me procedimin pasuror nr.1/2021, në kuadër të zbatimit të ligjit të ashtëquajtur “anti-mafia”.

Nga ana e SPAK është kryer hetim pasuror në lidhje me pasuritë e zotëruara nga Armand Marku dhe Gerti Marku, si dhe familjarët e afërt të tyre. Burime zyrtare bënë me dije se nga hetimet e kryera është provuar se:

  • Armand Marku, rezulton të jetë i shpallur në kërkim ndërkombëtar, nga Interpol Tiranë, pasi gjykata e Milanos me vendim nr. 1731 viti 2017, që e ka dënuar me gjashtë vjet e dy muaj heqje lirie për veprat penale “Trafikim narkotikësh” dhe “bashkëpunim në krim”.
  • Po ashtu, shtetasit Armand Marku dhe Gerti Marku, (Ledio Hallkokondi) janë shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma/Itali, me datë 09.10.2020, pasi autoritetet Gjyqësore të Firences, Itali me vendimin penal nr.9065/15 RGNR-5609/19 RG GIP, datë 25.11.2019, kanë lëshuar urdhër-arresti ndërkombëtar, për veprën penale “Pjesëmarrje në Organizatë Kriminale me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”, parashikuar nga Kodi Penal Italian.

Pas verifikimeve të kryera, sipas kërkesës së prokurorisë fillimisht me vendimin nr.1, datë 09.01.2021 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Tiranë, është vendosur sekuestrimi i disa pasurive në zotërim nga familjarë të afërm të shtetasve Gerti Marku dhe Armand Marku. “Në përfundim të hetimeve pasurore të zhvilluara, sipas SPAK, është arritur të provohet se plotësohen kushtet e parashikuara në ligj për konfiskimin e pasurive të sekuestruara sepse: ka dyshime të arsyeshme, të bazuara në indicie, për pjesëmarrje të personit në veprimtari kriminale; rezulton se pasuria është, drejtpërdrejt ose tërthorazi, në zotërim të plotë ose të pjesshëm të personave të përmendur; nuk provohet se pasuria ka prejardhje të ligjshme apo personat e përmendur nuk arrijnë të përligjin zotërimin e pasurive ose të ardhurave, të cilat janë shpërpjesëtimore me nivelin e të ardhurave apo fitimeve të realizuara nga burime të ligjshme të deklaruara prej tyre”, njofton SPAK.

Pasuritë

Prokuroria e Posaçme sqaron se me datë 13.07.2021 ka dorëzuar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin kërkesën për konfiskimin e pasurive si më poshtë:

  1. Pasuria e paluajtshme e llojit truall, me sipërfaqe totale 688 m2, si dhe objektin e ndërtuar mbi të, hotel “Harbour”, e ndodhur në zonën “Turizëm Kanali i Çukës” Sarandë, në pronësi të shtetasit Petro Branko.
  2. Pasuria e paluajtshme e llojit truall, me sipërfaqe 688 m2, së bashku me objektin përkatës të ndërtuar mbi të një pishinë, e ndodhur në zonën “Turizëm Kanali i Çukës” Sarandë, në pronësi të shtetasit Petro Branko.
  3. Pasuria e paluajtshme e llojit njësi shërbimi, me sipërfaqe 51 m2, e ndodhur në rrugën Don Bosco, Tiranë, e blerë në vitin 2017 me çmim 105 000 euro.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *