Firdeus Berberi është vendosur në prangat e Policisë greke, duke u bërë personi i tretë që prangoset së bashku me të shumëkërkuarin Laert Haxhiu. 22-vjeçari ishte në makinë me të shumëkërkuarin nga Lushnja në momentin që u prangosën në Athinë, e më pas u zbulua se ishte arrestuar edhe i riu që ishte shpallur kë kërkim për plagosjen e Joan Muçollarit. Berberi, 22-vjeç, do të ekstradohet në Shqipëri së bashku me Haxhiun, e sapoprangosur.
Njoftimi i Policisë së Shtetit:
Një tjetër shtetas i shpallur në kërkim, vihet në pranga në kuadër të operacionit policor ndërkombëtar të koduar “Eksponenti”.
Qendronte ilegalisht në Janinë dhe shoqërohej me të shumëkërkuarin Laert Haxhiu, vihet në pranga 22-vjeçari.
Gjatë operacionit ndërkombëtar të koduar “Eksponenti”, të finalizuar falë informacioneve të siguruara nga Policia e Shtetit dhe shkëmbimit të tyre në kohë reale, ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Athinës, u lokalizua në Janinë, u kap dhe u arrestua me qëllim ekstradimin, i shumëkërkuari Laert Haxhiu, bashkë me të cilin janë shoqëruar në Policinë e Janinës, edhe 2 shtetas të tjerë shqiptarë që shoqëronin shtetasin e shumëkërkuar.
Nga verifikimet e kryera ndërmjet Policisë greke dhe Policisë shqiptare, ka rezultuar se njëri prej këtyre shtetasve, konkretisht shtetasi F. B., 22 vjeç, lindur në Pogradec, ishte i shpallur në kërkim kombëtar nga Drejtoria Vendore e Policisë Korçë.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pogradec ka caktuar ndaj 22-vjeçarit, masën e sigurisë “Arrest në burg”, në mungesë, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, pasi më 25 prill të vitit 2022, dyshohet se në bashkëpunim me një shtetas tjetër, shtetasi F. B. ka plagosur rëndë, me armë zjarri pistoletë, shtetasin J. M.
Policia e Shtetit në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë dhe me Prokurorinë e Përgjithshme, ka nisur procedurat për shpalljen në kërkim ndërkombëtar dhe ekstradimin e këtij shtetasi drejt Shqipërisë