Rinor Hykolli, i njohur ndryshe si menaxheri i Taynës, është ndaluar nga Prokuroria Themelore në Gjilan, për 48 orë, për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale ‘Lëndi i rëndë trupor’.
Ai ka qenë në arrati që nga data 22 korrik 2021.
Është raportuar se Hykolli bashkë me një tjetër person janë përfshirë në një konflikt me shtetasin L.B., të cilit i ka thyer hundën.
Sipas prokurorisë, Hykolli dyshohet se në bashkëkryerje me të pandehurin Sh.Xh., pas një mosmarrëveshje i kanë shkaktuar lëndime trupore të dëmtuarit L.B., në pjesë të ndryshme të trupit.
“I dyshuari R.H., në bashkëkryerje me të pandehurin Sh.Xh. (i cili për këtë rast është ndaluar më 24 Korrik 2021) më 22 Korrik 2021, në diskotekën ‘’Stop’’ në Gjilan, për shkak të një mosmarrëveshje i kanë shkaktuar lëndime trupore të dëmtuarit L.B., në pjesë të ndryshme të trupit, duke ia thyer hundën, ku për shkak të lëndimeve i njëjti është detyruar të kërkonte tretman mjekësor”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Kujtojmë se në lidhje me këtë ngjarje, në muajin gusht ai ka thënë se ndodhet me pushime dhe se kur të kthehet do të paraqitet vetë në polici.
“Unë jam kanë i dorëzuar në polici, tri orë më kanë mbajt, kam dhënë deklaratë, jam dalë prej policisë, pas katër ditësh më kanë thirrë në intervistë, jam kanë në koncert në Ulqin, i kam thënë se jam në Ulqin më thanë duhet me ardhë urgjent me u lajmëru. Unë jam në pushime dhe në momentin që do të kthehem do të dorëzohem te policia dhe do të kqyri se çka është problem.
Ka qenë tu perform artisja, unë kam hy brenda dhe kanë ardhë polica më kanë arrestu. Unë s’kam marrë pjesë hiç në atë rrahje. Për 4-5 ditë kthehem prej pushimeve dhe dorëzohem, s’kam pse me u dorëzu se kam qenë i arrestuar dhe i liruar, me qenë i përfshirë nuk më kishin liru atë ditë”, tha asokohe menaxheri i Taynës.
/Priza.al/