Në Kosovë arrin grupi i tretë i afganëve

Grupi i tretë i qytetarëve afganë, arriti në Kosovë më 31 gusht. Aeroplani i forcave amerikane, i nisur nga Gjermania, zbriti në Aeroportin “Adem Jashari” rreth orës 17:00 me 131 afganë në bord.

Deri më tani, Kosova ka strehuar 355 afganë, të cilët do të qëndrojnë përkohësisht në Kosovë derisa t’iu rregullohet dokumentacioni për t’u vendosur në Shtetet e Bashkuara apo në ndonjë shtet anëtar të NATO-s.

Më 29 gushte Kosova priti avionin e parë me 111 afganë në bord ndërsa i dyti mbërriti mesnatën mes 30 dhe 31 gushtit. Të gjithë afganët në Kosovë do të strehohen në kampin ushtarak amerikan “Bondsteel” që është nën komandën e KFOR-it.

Sveçla tha se nuk e di numrin e saktë të fëmijëve në grupin e dytë, por edhe të grupit të tretë që erdhi më 31 gusht. Megjithatë, ai tha se nëse është e nevojshme, Kosova do të mundësojë që ata të edukohen.

“Jam i bindur se strehimi i tyre nuk do të zgjasë aq shumë sa të fillohet me përgatitjet e vitit shkollor”, theksoi Sveçla.

Sipas tij asnjë nga shtetasit afganë nuk është i infektuar me koronavirus dhe ata do të vaksinohen me vaksinën e kompanisë Johnson & Johnson, të ofruar nga Shtetet e Bashkuara.

Ai po ashtu tha se afganët që kanë ardhur në Kosovë janë regjistruar në databazën e policisë kufitare dhe janë akomoduar në ish-kampin e Bechtel-Enka në Ferizaj.

/Burimi: Telegrafi/

TAGGED:
Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *