Mashtruesit i dinë me kohë truket. Të ndershmit duhet t’i mësojnë ato për vetëmbrojtje”
Darrell Huff, “How to Lie with Statistics” (Si të gënjeni me statistikat). Ky është citati që çel librin “Narconomics” të gazetarit Tom Wainwright, një botim tepër interesant për analizën ekonomike që i bëhet zinxhirit të plotë, nga prodhimi deri në konsumin fundor të drogës në ekonominë botërore.
Një trajtim përtej emocionit, që e informon lexuesin se tashmë, çdo vend në Bashkimin Europian përfshin bizneset e drogës dhe të seksit në llogaritë e veta kombëtare, se në Mbretërinë e Bashkuar, këto dy “industri” së bashku e kalojnë bujqësinë, apo se gjysma e shteteve në SHBA kanë pranuar një formë legalizimi të marijuanës, duke e justifikuar shumica për qëllime “mjekësore”.
Legalizimi i marijuanës, madje edhe drogave të tjera apo më gjerë, i aktiviteteve të “biznesit të pamoralshëm”, është një debat që sot zhvillohet në aspektin shoqëror, moral dhe ekonomik.
Edhe në Shqipëri ka pasur një debat sporadik në media, për të arritur në formatin më të fundit të debatit të nxitur nga rezultatet e referendumit të paligjshëm të Kryeministrit të Shqipërisë, se 61% e atyre shqiptarëve, që u bënë pjesë e Këshillimit Kombëtar, (që në fakt janë një shumicë e munguar prej 14% e popullsisë mbi 18 vjeç) kërkojnë legalizimin e kanabisit për përpunim industrial.
Nisur nga kjo mbështetje, qeveria tha se do të fillojë procedurat ligjore për t’i hapur rrugë kësaj nisme.
E kemi të qartë se si funksionon e çfarë shkakton një “industri” e tillë për ekonominë dhe fuqinë punëtore, pasi nga lufta kundër Lazaratit, kanabisi u bë çështje e bujqësisë në të gjithë Shqipërinë dhe një sekret që e dinë të gjithë. Por jemi ende të painformuar për skemën dhe strategjinë që ka menduar qeveria shqiptare për shndërrimin e kanabisit në një “kulturë bujqësore”.
Ndoshta kur të informohemi për këto plane dhe strategji do të marrim përgjigje për pyetjet që vetvetiu na lindin sot, në momentin e një krize ekonomike, që përveç faktorëve të brendshëm, bart edhe ndikimin e pandemisë dyvjeçare dhe të një lufte në zhvillim:
– Inflacioni për muajin mars 2022 rezultoi 5.7%, gati dyfishi i objektivit. Autoritetet kanë deklaruar se çmimet do të vijojnë të jenë të larta edhe për vitin në vijim. Sa mund të ndikojë mbjellja e kanabisit në zbutjen e çmimeve dhe uljen e inflacionit?
– Lufta në Ukrainë nxori në pah rrezikun e krizës ushqimore, veçanërisht të drithërave, apo edhe të burimeve të energjisë. Problemet me klimën po ashtu po ndikojnë gjerësisht në këto elemente dhe të tjerë, duke kërkuar kthimin e vëmendjes në bashkëjetesën me natyrën dhe nxitjen e prodhimit bujqësor. Sa harmonizohet kanabisi me respektimin e klimës dhe menaxhimin e katastrofave natyrore, si përmbytjet?
– A mund të rriten pagat e ulëta dhe pensionet, mbështetja sociale dhe subvencionet për shtresat e varfra nga të ardhurat prej shitjes së kësaj kulture?
– A mund të ndikojë kultivimi i hashashit në reduktimin e sipërfaqes së tokave bujqësore të lëna djerrë, në rritjen e rendimentit të prodhimit bujqësor, veçanërisht të drithërave, në modernizimin e punëve në bujqësi, zhvillimin e blegtorisë dhe rritjen e peshës së bujqësisë në ekonominë shqiptare?
– A do të nxisë hashashi industrinë e përpunimit ushqimor dhe të eksporteve të saj, përveç eksportit si lëndë e parë? Sa mund ta përmirësojë hashashi deficitin tregtar të Shqipërisë?
– Çfarë ndikimi do të ketë në borxhin publik dhe si do të trajtohet nga ana fiskale? A do të ketë lehtësi fiskale si një industri e re në përpjekje për ta nxitur?
– Sa mendohet që kjo industri do të rrisë punësimin dhe do të reduktojë emigrimin e krahut të punës?
– Si pritet të ndikojë kultivimi i hashashit në cilësinë e arsimit shqiptar?
– Sa mbjellja, tregtimi dhe besojmë eksporti i hashashit do të përmirësojnë klimën e biznesit, konkurrencën e tregut të lirë, modelin e ekonomisë e mbi të gjitha, aftësinë dhe eficiencën e administratës shtetërore?
Këto e shumë pyetje të tjera kanë nevojë të marrin përgjigje. Ne po presim qeverinë të na sqarojë. Të paktën e dimë që hashashi do të shtyjë përpara projektin e Ballkanit të Hapur, meqë dhe njëri nga treshja ballkaniste tashmë e ka të ligjshme këtë kulturë.
Por mbetemi të shqetësuar për paaftësinë që shfaqin ministrat dhe administrata shqiptare, për të gjitha çështjet kritike dhe strategjike të zhvillimit të Shqipërisë.
Prandaj, ju lutem ministrat e vartësit e tyre, duhet të emëroni persona që ia dinë vlerën, dhe kanë njohuri e përvojë me hashashin, madje dhe ta kenë shijuar. Kjo do të jetë garancia që Hashashi të sjellë zhvillim!/EDITORIAL MONITOR