Prej disa ditësh në media dhe nga opozita është denoncuar rasti i Zv.sekretares së Përgjithshme e Këshillit të Ministrave Elira Kokona, e cila ka ushtruar aktivitetin e saj privat si avokate edhe pse që nga viti 2013 është emëruar në detyra të larta të administratës publike.
Kokana ka përfaqësuar në të paktën 15 raste klientët e saj në Gjykatën e Strasburgu, në një kohë që ishte emëruar në detyrën e Sekretares së Përgjithshme të Ministrisë së Kulturës, dhe në poste të tjera në qeveri.
Në një reagim për Fax news, Kokona nuk ka preferuar që të bëjë koment në lidhje me akuzat, duke thënë se ndodhet me pushime së bashku me familjen e saj.
“Nuk dua të prononcohem në lidhje me asnjë denoncim, preferoj të qëndroj me pushime me familjen time dhe të mos përfshihem në akuza politike. Unë e bëj me korrektësi punën time, uroj që ta bëni edhe ju”, tha shkurtimisht Kokona për Fax News.
Sipas ligjeve në fuqi detyra e Sekretarit të Përgjithshëm është e papërputhshme me ushtrimin e profesioneve të tjera, por në rastin në fjalë kemi të bëjmë me një konflikt të pastër interesi të dyanshëm.
Pasi si avokate Elira Kokona në shpërdorim të pastër detyre, duhet të mbronte në Strasburg interesat e klientëve të saj që ishin në gjyq me qeverinë, ndërkohë që ajo ishte pjesë e rëndësishme e saj.
Ndërkohë edhe Partia Demokratike denoncoi se Kokona nuk njoftoi gjykatat në lidhje me pozicionin e saj në nivelet më të larta të administratës shtetërore.
Demokratët thonë se ky përbën skandal shtetëror, pasi në më shumë se 15 raste Elira Kokona rezulton të ketë qenë duke ushtruar përfaqësimin e klientëve të saj në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut apo të Arbitrazhit.
Duke e cilësuar veprimtarinë e Kokonës në shpërdorim detyre, Partia Demokratike fton organet e drejtësisë të hetojnë rastet e konfliktit të interest të Sekretares së Përgjithshme të Ministrisë së Kulturës./FaxWeb