Ina Dajçi e shpallur “Miss Universe Albania” në gusht të vitit 2021 thotë se eksperienca në këto konkurse është shumë e tmerrshme. Në një rubrikë ‘Pyetje & Përgjigje’, me ndjekësit në ‘Instagram’, Ina Dajçi, është pyetur nëse do tu rikthehej konkurseve të bukurisë. Pa u zgjatur shumë, Dajçi dha një ‘Jo’ të prerë dhe shtoi se këto konkurse janë një tmerr për vajzat në shekullin e 21-të.
“Është një vend i tmerrshëm për vajzat në shekullin 21. Duket si shumë qejf dhe ndonjëherë është, por vajzave po u ndodhin dëme serioze në prapaskenë”,- tha 27-vjeçarja.
Por, jo gjithçka është kaq e bukur. Imazhi që kanë vajzat (sidomos vajzat adoleshente) për modelingun nuk përputhet me realitetin. Çdo vit bëhen konkurse bukurie, ku zgjidhen vajza si modele me kërkesat tipike: Të jenë të bukura fizikisht, të kenë trup perfekt me përmasat e duhura dhe ju premtohet nga agjencitë e modës një karrierë e gjatë profesionale. Por vajzat zhgënjehen kur hasen me një tjetër realitet dhe automatikisht ju shkatërrohen ëndrrat. Ato duhet ta vlerësojnë dhe ta duan veten për atë që janë.
Ina Dajçi është me profesion arkitekte. Nuk dihet ende se për çfarë eksperiencash të tmerrshme e ka fjalën Dajçi apo se cilit person i atribuohet në të vërtetë kjo akuzë. “Miss Universe Albania” është një konkurs kombëtar bukurie në Shqipëri. Konkursi u themelua si “Miss Albania” në vitin 2002, deri në riemërtimin si “Miss Universe Albania” në vitin 2006. Që nga viti 2021, fituesit e konkursit kanë konkuruar ndërkombëtarisht në “Miss Universe”, “Miss Earth” dhe “Miss World”. Në vitin 2014, Eduart Deda mori licencën e ekskluzivitetit për “Miss Universe”.