Në qershor mbyllen gjykatat administrative në Durrës, Korçë, Shkodër, Gjirokastër e Vlorë

Gjykatat Administrative të Shkallës së Parë në Durrës, Korçë, Shkodër, Gjirokastër dhe Vlorë, deri me 30 qershor 2023, do të ndërpresin të gjitha veprimtaritë. Vendimi është firmosur nga kryetarja e KLGJ-së, Naureda Llagami.

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka vendosur që gjykatat administrative të Shkallës së Parë në Durrës, Korçë dhe Shkodër, do të transferohen në Tiranë, mbështetur në ligjin për organizimin e pushtetit gjyqësor, statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë, me propozim të Komisionit të Planifikimit Strategjik, Administrimit dhe Buxhetit, njofton RTSH.
Gjykata e Administrative e Shkallës së Parë Tiranë do të mbajë të njëjtin emërtim pas datës 1.7.2023, kur shkrihen gjykatat e sipërcituara. Numri i gjyqtarëve të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë do të përcaktohet me akt të veçantë të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Gjyqtari i emëruar/caktuar në një pozicion të përhershëm në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, do të qëndrojë në të njëjtin pozicion në strukturën e re të kësaj gjykate.

Gjyqtari i emëruar/caktuar në një pozicion të përhershëm në gjykatat administrative të shkallës së parë Durrës, Korçë dhe Shkodër, të cilit i suprimohet pozicioni për shkak të riorganizimit gjyqësor, transferohet në pozicion të përhershëm në strukturën e re të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë.

Pozicionet e shpallura për lëvizje paralele në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, për të cilat në datën 1.7.2023 nuk ka përfunduar ende procedura e lëvizjes paralele, konsiderohen pozicione të lira të përhershme në strukturën e Gjykatës Administrative së Shkallës së Parë Tiranë të rioganizuar.

Këshilli i Lartë Gjyqësor pas datës 1 korrik 2023, vijon procedurat e papërfunduara për llogari të Gjykatës Administrative së Shkallës së Parë Tiranë të rioganizuar.

Organet e administrimit gjyqësor

Kryetari i Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë do të zgjidhet nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, sipas përcaktimit të ligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Në mungesë të kryetarit të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, kompetencat ushtrohen nga zëvendëskryetari i gjykatës deri në zgjedhjen e kryetarit.

Zëvendëskryetari në detyrë i Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë qëndron në detyrë deri në përfundim të mandatit, me përjashtim të rasteve kur ka shkaqe për mbarimin e statusit të magjistratit.

Kancelari në detyrë i Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë qëndron në detyrë deri në emërimin e kancelarit të ri të kësaj gjykate.

Ndërsa Këshilli i Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, deri në zgjedhjen e kryetarit dhe emërimin e kancelarit, përbëhet nga zëvendës- kryetari, kancelari në detyrë dhe gjyqtari me përvojën profesionale më të gjatë si gjyqtar në datën e fillimit të funksionimit të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë të riorganizuar.

Administrata gjyqësore

Administrata gjyqësore e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, e përbërë nga punonjësit që ushtrojnë shërbimet gjyqësore, administrative dhe mbështetëse sipas përcaktimit të ligjit, vijon të ushtrojë veprimtarinë dhe nuk i nënshtrohet procesit të ristrukturimit.

Administrata gjyqësore e gjykatave administrative të shkallës së parë Durrës, Korçë dhe Shkodër, i nënshtrohet procesit të ristrukturimit. Këshilli i Lartë Gjyqësor përcakton me akt të veçantë krijimin dhe funksionimin e Komisionit të Ristrukturimit.

Rregullat standarde për strukturën dhe organika e administratës gjyqësore të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë të riorganizuar, përcaktohen me akt të veçantë të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Transferimi i çështjeve gjyqësore

Çështjet gjyqësore të regjistruara në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, Durrës, Korçë dhe Shkodër, deri në datën 30.6.2023, por që nuk kanë përfunduar sipas ligjit, transferohen në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, të riorganizuar.

Çështjet gjyqësore që transferohen në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, regjistrohen në regjistrat manualë dhe sistemin elektronik të menaxhimit të çështjeve ICMIS.

Menaxhimi i çështjeve gjyqësore

Çështjet gjyqësore të transferuara në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë nuk i nënshtrohen rindarjes me short. Këto çështje vijojnë të shqyrtohen nga i njëjti trup gjykues.

Përgjegjësitë buxhetore dhe financiare Gjykata Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, mbështetur në legjislacionin në fuqi, përmbush të gjitha detyrimet dhe përgjegjësitë që rrjedhin nga mbyllja në datë 30.6.2023 e aktivitetit ekonomiko-financiar të gjykatave administrative të shkallës së parë Durrës, Korçë dhe Shkodër.

Shkrirja e gjykatave në Gjirokastër dhe Vlorë

Gjykata e Administrative e Shkallës së Parë Lushnjë, do të fillojë funksionimin më datë 1.7.2023. Selia e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Lushnjë do të jetë në Lushnjë. Gjykatat Administrative të Shkallës së Parë Gjirokastër dhe Vlorë, ndërpresin veprimtarinë më datë 30 qershor 2023.

Gjyqtarët e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Lushnjë

Numri i gjyqtarëve të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Lushnjë përcaktohet me akt të veçantë të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Gjyqtari i emëruar/caktuar në një pozicion të përhershëm në gjykatat administrative të shkallës së parë Gjirokastër dhe Vlorë, të cilit i suprimohet pozicioni për shkak të riorganizimit gjyqësor, transferohet në pozicion të përhershëm në strukturën e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Lushnjë.

Organet e administrimit gjyqësor

Kryetari i Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Lushnjë zgjidhet nga Këshilli i Lartë Gjyqësor.

Në mungesë të kryetarit të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Lushnjë, kompetencat ushtrohen nga zëvendëskryetari i gjykatës deri në zgjedhjen e kryetarit.

Menjëherë me fillimin e funksionimit të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Lushnjë, Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve e thirrur nga gjyqtari me përvojën profesionale më të gjatë, zgjedh zëvendëskryetarin e kësaj gjykate.

Këshilli i Lartë Gjyqësor me propozim të Komisionit të Ristrukturimit cakton Kancelarin në detyrë të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Lushnjë.

Këshilli i Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Lushnjë ngrihet dhe funksionon sipas ligjit dhe akteve nënligjore të miratuara nga Këshilli i Lartë Gjyqësor.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *