Sekretari amerikan i Sigurisë Kombëtare, Alejandro Mayorkas mohoi që Shtetet e Bashkuara të kenë vendosur një ndalim për azilkërkuesit, por në të njëjtën kohë theksoi se ekziston një mënyrë e ligjshme dhe e rregullt për të hyrë në Shtetet e Bashkuara. Korrespondentja e Zërin e Amerikës Veronica Balderas Iglesias sjell hollësi.
Doganat dhe Patrulla Kufitare amerikane kanë parë një rënie gati 50% të migrantëve në kufirin jugor gjatë dy ditëve të fundit. Kjo krahasuar me shifrat e rregjistruara në ditët para heqjes së kufizimeve që ishin vendosur gjatë pandemisë, tha gjatë një intervistë për kanalin ABC, Sekretari i Sigurisë Kombëtare.
“Ne kemi larguar tashmë mijëra njerëz që kanë mbërritur në kufirin tonë jugor. Po zbatojmë rregullat tona tradicionale të imigracionit sipas ligjit”.
Sekretari Mayorkas theksoi se zgjerimi i rrugëve të ligjshme nga administrata Biden ka qënë i paprecedentë. Ai gjithashtu hodhi poshtë pretendimet se ka një ndalim për azilkërkuesit.
“Ajo që parashikon rregullorja është që një individ duhet të ketë qasje në rrugët e ligjshme, që kemi vënë në dispozicion. Nëse nuk e kanë bërë, atëherë duhet të kenë kërkuar ndihmë në një nga vendet nëpër të cilat kanë udhëtuar dhe kjo u është mohuar. Dhe nëse nuk kanë bërë asnjërën prej këtyre veprimeve, ky nuk është ndalim i azilit. Por kanë një standart më të lartë që duhet të plotësojnë”, tha sekretari Mayorkas.
Ligjvënësi republikan Michael McCaul është skeptik se politikat e reja do të dekurajojnë hyrjet e paligjshme në Shtetet e Bashkuara.
“Mendoj se karvanët nuk po largohen. Migrantët ende duan të hyjnë. Për shembull, guvernatori i shtetit tim ka vendosur Gardën Kombëtare të Teksasit dhe trupat në kufi për të ndaluar fluksin. Më shumë se dy vitet e fundit flasin vetë. Kemi pasur 5 milionë njerëz që kanë hyrë ilegalisht në këtë vend dhe 1.5 miionë prej tyre nuk dihet ku janë. Është e papranueshme”.
Emigrantët shpesh detyrohen të largohen pasi janë përballur me krime të tmerrshme në vendet e tyre, argumenton profesorja e së drejtës Blaine Bookey.
“Shohim norma jashtëzakonisht të larta të dhunës. Dhe kjo është me të vërtetë arsyeja pse njerëzit po vazhdojnë udhëtimin që të arrijnë në një vend ku realisht gjejnë siguri dhe në shumë raste bashkohen me familjet e tyre”.
Ka një shans të mirë që rrugët e reja ligjore të vendosura nga administrata Biden mund të ndihmojnë në parandalimin e kalimeve të paligjshme, por ato mund të kenë efekt të kundërt nëse nuk zgjidhen shkaqet rrënjësore, paralajmëron analisti Peter Margulies.
“Janë faktorët në vendet e tyre të origjinës, për shembull, në Amerikën Qendrore, Guatemalë, Honduras dhe El Salvador, që i bëjnë njerëzit të duhet të largohen. Dhe ato përfshijnë faktorët ekonomikë, ndryshimet klimatike dhe dhunën“.
Autoritetet amerikane pranojnë se mund të ketë një rritje të numrit të emigrantëve pa dokumente në ditët në vijim, edhe pse ndalimet pesëvjeçare dhe ndjekja penale janë tani ndëshkime për ata që kërkojnë të shkelin ligjin./VOA