Të gjitha vendet janë solidarizuar me Turqinë dhe Sirinë duke ndihmuar në çdo mënyrë personat që janë nën rrënoja apo ata që kanë mbetur të pastrehë. Ekipet e shpëtimit po bëjnë të pamundurën për të shpëtuar njerëzit nga tërmeti shkatërrues që goditi Turqinë dhe Sirinë mëngjesin e së hënës.
Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës është ndriçuar mbrëmjen e sotme me flamurin e Turqisë. Përmes një postimi në rrjetin social ‘Facebook’, Qeveria ka shkruar se dita e sotme në Kosovë është ditë zie shtetërore dhe mbështet familjet e viktimave.
“Dita e sotme në Kosovë është ditë zie shtetërore. Në nder të viktimave të tërmetit shkatërrues, ndërtesa e Qeverisë sonte u ndriçua me flamurin e Turqisë. Lutemi për shëndetin e të lënduarve dhe i qëndrojmë pranë popullit dhe shtetit turk”, thuhet në njoftim.