Kreu i PD, Sali Berisha ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se me politikat që po ndjek, po vret shpresën tek shqiptarët.
Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Kryesisë së PD-së, Berisha tha se Rama po shpërndan si helm bindjen se Shqipëria nuk bëhet. Duke u ndalur tek emigrimi masiv i të rinjëve drejt Britanisë, Berisha u shpreh se që 30 vite më parë shqiptarët u kthyen në ‘popull gomonesh’ për shkak të kafshatës së bukës, tashmë sipas tij, shqiptarët ishin kthyer në popull gomonesh për shkak të një regjimi që nuk respekton votën e lirë.
Më tej ai nuk ka lënë pa përmendur edhe portet në vendin tonë, ku kreu i PD-së tha se ishte e paimgjinueshme që sot Shqipëria të mos kishte më porte pasi ato i zhdukën.
“Nëse 30 vite më parë u bëmë popull i gomoneve për shkak, absolutisht të kafshatës, sepse nga diktatura dolëm të tretët më të varfër në botë, sot jemi popull i gomoneve për shkak të një regjimi, narkoshteti që nuk respekton më votën tonë, liritë tona, që vjedh pasuritë tona, që shkelmon liritë dhe të drejtat e shqiptarëve, që pranon vasalitet.
Dhe me të gjitha këto së bashku vret shpresën e shqiptarëve dhe shpërndan si helm bindjen se Shqipëria nuk bëhet. Një plaçkitje universale. A mund ta imagjinoni sot Shqipërinë ju, një vend pa porte. 400 km linjë bregdetare dhe nga Saranda në Durrës, portet i zhdukën. Pra se si e si ta shkatërrojnë këtë vend. Mendoj se vendimi ynë për një veprimtari shumëplanëshe sado që kërkon mobilizim shumë më të madh është jetik. Le të vazhdojmë mendoj unë këto linja, të bëjmë gjithçka për një proces në primare të suksesshëm, të bëjmë gjithçka për të mbrojtur interesat e qytetarëve shqiptarë, interesat e kombit shqiptarë që janë sot më të kërcënuara se kurrë”, u shpreh Berisha.