Votim elektronik në Elbasan, Kamëz dhe Vorë. Të dhëna reale mbi pjesëmarrjen e qytetarëve
Në tre bashki do të implementohet sot votimi dhe numërimi elektronik për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore.
Votimi dhe numërimi elektronik është mundësuar në Elbasan, Kamëz dhe Vorë dhe garanton fshehtësinë e votës.
Sipas drejtuesve të KQZ-së, trajnimi i operatorëve të pajisjeve elektronike të votimit dhe numërimit, konsiderohet si një faktor i rëndësishëm në implementimin me sukses të projektit të votimit elektronik.
Nga përpunimi i të dhënave, rezulton se në tre bashkitë Elbasan, Kamzë dhe Vorë janë gjithsej 401 QV dhe numri i zgjedhësve është 310.846.
Risia e votimit dhe numërimit elektronik është transmetimi në mënyrë periodike i të dhënave për pjesëmarrjen në zgjedhje.
Për herë të parë do të kemi të dhëna reale mbi numrin e zgjedhësve, që kanë votuar për çdo qendër votimi në procesin zgjedhor gjatë ditës së sotme.
Zgjedhësi duhet të paraqitet në qendrën e tij të votimit me letërnjoftim ose pasaportë biometrike, për t’u identifikuar përmes pajisjes PEI, ku përveç dokumentit të identifikimit do të lërë edhe gjurmët daktiloskopike (shenjat e gishtërinjve), të cilat do të shërbejnë për evidentuar rastet e votimit të paligjshëm.
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi ka theksuar se KQZ ka ndërtuar një sistem të tillë, i cili nuk lë shkak dhe mundësi për këdo që në mënyrë manipulative synon të shmangë identifikimin elektronik. Operatorët e PEI janë trajnuar përmes një metodologjie të përmirësuar trajnimi, ndaj mendohet se procesi i identifikimit të zgjedhëseve do të realizohet më mirë se në vitet e shkuara.