Negociatat/ Rama: Shqipëria kreu detyrat e ‘shtëpisë’, BE të respektojë vendimin e vet

Kryeministri Edi Rama, në konferencën për shtyp me Ministrin Gjerman për Evropën, Michael Roth tha se Shqipëria i ka kryer të gjitha detyrat dhe se anëtarësimi tashmë është thjeshtë çështje e brendshme e Këshillit Europian. Ndër të tjera Rama tha se Maqedonia e Veriut duhet të zgjidhë problemet me Bullgarinë.

“Kjo vizitë përkon me një kohë jo të parëndësishme, në prag të një tjetër takimi të Këshillit Europian për një vendimarrje të rëndësishme lidhur me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Më vjen mirë që sot nuk janë vetëm ata që e thoshin dhe dje, por të gjithë që Shqipëria i ka kryer të gjitha detyrat e veta.

Miratimi i kornizës negociuese, bazuar në vendimin e  marrë për çeljen e negociatave dhe mbajtja  e Konferencës së Parë Ndërqeveritare është thjeshtë çështje  e brendshme e Këshillit Europian, në një moment kur së brendshmi BE ndeshet me një surprizë të radhës nga bota ballkanike dhe përreth që lidhet me ngërçin e krijuar me MV dhe Bullgarisë.

A do të ndodhë apo jo, ne nuk e dimë, kjo do varet në atë se sa do zgjidhet ngërçi mes MV dhe Bullgarisë dhe sa Bullgaria do të jetë e gatshme të heqë barrikadën që i ka vënë këtij procesi. Sidoqoftë ne kemi një mbështetje të zëshme dhe të përgjithshme për të ecur më tutje”, tha Rama.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *