Qumështi që çdo mëngjes konsumohet në tryezat e çdo shqiptari rrezikon që të bëhet edhe më i shtrenjtë muajin që vjen, edhe pse ai i kompanive të mëdha shqiptare është jo qumësht lope “bio” por qumësht pluhur në mbi 70%.
Kjo për faktin se kompanitë prodhuese dhe tregtuese më të mëdha në vend, që shesin qumësht dhe nënprodukte të tij nga Jugu në Veri të Shqipërisë, prej disa vitesh janë kthyer edhe në importueset më të mëdha të qumështit pluhur dhe vajit të palmës.
Që të dyja këto produkte, të cilat janë hequr thuajse totalisht nga tregu europian si nënprodukte apo produkte përpunues, apo lëndë e parë për nënproduktet e qumështit, në Shqipëri përdoren gjerësisht.
Janë kryesisht “Lufra” dhe “Erzeni” dy kompanitë më të mëdha që i përdorin këto lëndë të para, por edhe të gjitha fabrikat e tjera në Shqipëri, duke u shitur prej disa vitesh tashmë “sapunin për djathë” të gjithë konsumatorëve shqiptarë.
Janë po këto kompani ato që po lobojnë fuqishëm jo vetëm në heqjen e taksave për importin sidomos të qumështit pluhur, por edhe për të rritur gradualisht vit pas viti çmimet për litër qumësht, si dhe duke kërkuar nga bashkitë që të heqin të gjithë fshatarët që tregtojnë nëpër rrugë a tregje bidonë me qumësht.
Kjo e fundit, edhe për faktin se në vitet 5-6 vitet e fundit, edhe pse mungojnë statistikat zyrtare, konsumi i qumështit të fshatarëve është rritur nga qytetarët, duke lënë pas dore qumështin dhe nënproduktet e tij që tregrohen nga kompanitë e mëdha vendase.
Lobimi në Komisione dhe qeveri për uljen e taksave
Pronarët e fabrikave më të mëdha të qumështit dhe nënprodukteve të tij, të cilët janë përdoruesit dhe importuesit më të mëdhenj, kërkuan heqjen e taksës për qumështin pluhur.
Paraditen e 2 nëntorit 2021, ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, u paraqit në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë për të prezantuar parashikimet e paketës së re fiskale, duke njoftuar një taksë të re, 100 lekë për litër, që do të vendosej për qumështin pluhur, si masë për të mbështetur prodhimin vendas dhe fermerët shqiptarë.
“Futen 1 mijë ton qumësht pluhur në vit, referuar vitit 2019, pasi viti 2020 ka qenë vit pandemik. Me taksën 100 lekë për litër, futen në buxhet rreth 100 milionë lekë në vit”,- tha ministrja për të mbështetur kështu edhe shtimin e kësaj takse përballë deputetëve në Komision.
Ndërsa deputeti socialist Erion Braçe, e pyeti ministren nëse ishte konsultuar me gupet e interesit ky propozim, përgjigja që mori ishte pozitive, por që iu hodh poshtë menjëherë nga kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Eduard Shalsi. Ky i fundit kërkoi që një analizë të plotë për efektet që sjell taksa e re.
“Priza.al” ka mësuar se, Komisioni i Ekonomisë kishte zhvilluar një seancë bisedimesh me përfaqësuesit e kompanive të qumështit në datën 4 nëntor 2021. Por kësaj herë në një takim të fshehtë dhe pa praninë e mediave.
Megjithatë takimi u konfirmua nga ish-ministrja e Financave, Anila Denaj. Rreth orës 15:00 të datës 4 nëntor 2021, pas mbledhjes që nuk u bë publike, Anila Denaj shkruan: “Në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave zhvilluan konsultime me grupet e interesit për paketën fiskale 2022. Vlerësuam propozimet e përfaqësuesve të shoqatave të biznesi; Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar, Shoqata e Prodhuesve dhe Përpunuesve të Mishti dhe Qumështit, Industrinë e Përpunimit të Qumështit…”
Por përse nuk u vendos mbledhja që të ndiqej nga të gjithë qytetarët? Përfaqësuesit e Kuvendit e justifikuan mospublikimin e mbledhjes në faqen e Kuvendit si mbledhjet e tjera, me pretendimin se bisedimet kishin qenë informale.
Mesa duket tregtarët e qumështit në Komisionin e Ekonomisë kishin bërë një tjetër kërkesë: Vendosja e taksës 100 lekë për kg, për qumështin pluhur jo vetëm që nuk i vjen në ndihmë fermerëve shqiptarë, por mbyll të gjitha iniciativat e industrisë agropërpunuese që prodhojnë produkte, ku si lëndë e parë është qumështi pluhur.
Të përjashtohen nga pagesa e kësaj takse të gjitha fabrikat e përpunimit të produkteve të qumështit apo edhe produktet e tjera për qumësht pluhur, krem qumështi, hirrë qumështi të cilat kanë kartat teknologjike të produktit fundor me përbërje qumësht pluhur.
Reagimi i deputetit socialist për qumështin pluhur
Gjithë këto ndryshime përveç publikut kapën ‘të surprizuar’ edhe deputetin Erion Braçe, anëtar i Komisionit të Ekonomisë, përmes një postimi në Facebook, shprehu habinë për tërheqjen e Ministrisë së Financave nga taksa për qumështin pluhur.
Ndërsa shtoi edhe njëherë se vetë ai nuk ishte dakord për heqjen e taksës.
“Qeveria është tërhequr nga taksa e qumështit pluhur? Po përse? Dhe ku xhanëm? Qeveria ka dorëzuar në Kuvend ligjin për taksat kombëtare me takse te re për qumështin pluhur. Në Komisionin e Ekonomisë kemi nisur shqyrtimin e tij; Po aty, bëmë një dëgjesë me fabrikat e përpunimit të qumështit; Për herë të parë dëgjova të pohonin se ata përdorin qumësht pluhur në produktet e tyre, por deri në 2 %.
Dhe vetëm 2 %, nëse do të vendosej taksa për qumështin pluhur, do të rritej çmimi për produktet e tyre!!! Aty u tha se qumështi pluhur ishte në kartën teknologjike dhe me etikete të miratuar nga AKU! Pra, këta përdorin qumësht pluhur dhe duhet ta kenë të shkruar në etiketë.! Urdhëroni; Shihni etiketën e këtij qumështi dhe këtij kosi!
Këtu thuhet: Prodhuar me qumësht të freskët nga fermat më të mira. Qumësht të freskët, jo qumësht pluhur. Pra këta e përdorin qumështin pluhur, por ne etikete nuk e thonë asnjëherë. Tani ndajeni mendjen; Ose më qumësht të freskët, ose me qumësht pluhur! Kjo është njëra anë.
Tani ana tjetër; Nuk di cili është zyrtari i qeverise që është tërhequr nga taksa mbi qumështin pluhur, por i ka pasur sytë hapur? Akoma nuk e keni marre vesh qe, qumështi pluhur si produkt përdoret për të përzierë e prodhuar produkte me ‘qumësht të freskët’, kurse si faturë përdoret për të grabitur shtetin me TVSH?! Si ka mundësi që nuk mendoni pak me gjatë, pyesni, hetoni e gjykoni?!”,- shkruan deputeti socialist Erion Braçe.
Por deri tani nuk është sqaruar asgjë në lidhje me veprimin e MF-së, se përse u ndryshua taksa, si dhe çfarë do të ndryshojë në vazhdimësi nga e gjitha kjo…
/Priza.al/