Kushëriri i Sabrina Bengajt, 23-vjeçares së vrarë nga bashkëshorti i saj Elton Metaj ka treguar se përveç gjakut, ditën e krimit ka gjetur në tokë dhe bukën që po hante e reja në atë moment.
Në një prononcim nga sheshi ku po protestohet dhe kërkohet drejtësi, kushëriri i Bengajt shton se vajza nuk është martuar me dëshirë, por është rrëmbyer nga Elton Metaj. Sipas tij, Metaj dhe e ëma e gënjyen Bengajn dhe bënë që të largohej në shtëpinë e tyre.
“Duhen dënuar pa të drejtë apelimi sepse të gjithë këta vrasës dënohen me nga 25 vite burg, marrin gjykim të shkurtuar, falje për sjellje të mirë dhe dalin e vrasin sërish gra. Kam një thirrje për SPAK-un, është e vetmja shpresë që na jep shpresë për të jetuar në këtë vend. Presim me padurim arrestimin dhe ndalimin e personave përgjegjës për lirimin e këtij njeriu që na masakroi vajzën, Piro Sotën, prokurorin që kallashnikovin e ngjarjes së parë të këtij e bëri karrotë dhe mjekun psikiatër që e nxorri të sëmurë psiqik. I bëj thirrje prokurorisë që të ngrejë një hetim të rëndësishëm për nënën e atij kanibali. Ajo e vrau Sabrinën me duart e atij krimineli. Lajmet janë të rreme, s’jemi nga ata që i martojmë vajzat fëmijë. Përveç gjakut gjetëm edhe bukën të hedhur në tokë. Vajzën e kanë rrëmbyer, e gënjeu ish-burri dhe nëna e tij,”- tha kushëriri.
/Priza.al/