Ajo ka jetuar nëpër institucionet e përkujdesit shtetëror që 40-ditëshe dhe deri në moshën 12 vjeç. Për pak muaj e mitura mbush 16 vjeçe dhe bashkë me të jetojnë edhe 4 diagnoza të shëndetit mendor. Identitetin e minorenes fatkeqe nuk do ta bëjmë publik për ta mbrojtur nga diskriminimi. Historia e trishtë ka nisur kur nëna e saj, në pamundësi për ta ushqyer e çoi në institucionin e kujdesit të jetimëve “Zyber Hallulli”. Një institucion që ashtu si streha të tjera, fsheh brenda mureve drama dhe keqtrajtime të jetimëve referuar raporteve zyrtare të institucioneve dhe organizatave.
“Kishim probleme të ndryshme; p.sh dënonin fëmijët për lekët e muajit, kishte abuzime; dmth ofendime nga shokët dhe shoqet. Sulm nga shokët dhe shoqet. Goditje. I drejtohesha, i dënonin për disa orë dhe e hiqnin dënimin. Sherre, më kanë rrahur, sharje, ofendime, më dënonin për lekët e muajit. Nga 10 mijë. Varej nga dënimi. Një muaj, dy muaj. Një herë nga nervat theva banjon” u shpreh, nëna e vajzës së mitur të dhunuar.
E vënë nën presion të vazhdueshëm, vajza thotë se ka qenë e detyruar të mos tregojë vuajtjet brenda institucionit. E ëma, ka dyshuar për mirëqënien e vajzës, por nuk ka patur fakte për të vërtetuar ferrin siç e përshkruan, brenda godinës ku presupozohej që duhej të kujdeseshin për fëmijët fatkeqë.
“Mund të them që kisha dyshuar. Ka pasur tre episode që unë dyshova sepse shkova për ta takuar, ishte verë dhe e gjej me shenja në trup në pjesën e krahut dhe parakrahut. Shenja të thithura dhe të pickuara. Vajza ishte e trembur, por nuk më tregoi asgjë. Përderisa nuk kisha një fakt, një arsye, një deklaratë nga fëmija im, nuk mund të ngrija as zërin, as akuzat. Vetë stafi e justifikoi me një përleshje mes fëmijëve, gjë që për ta ishte mëse normale. Ndodhi tre herë në periudha të ndryshme kohore, por vetëm kaq” u shpreh, nëna e vajzës së mitur të dhunuar.
Në disa raste, nëna nuk ka mundur të takojë të bijën në institucion. Punonjësit e shtëpisë së fëmijës, janë justifikuar duke I thënë se vajza ka qenë në kamp bashkë me fëmijët e tjerë. Por, nëna thotë se më vonë, ka kuptuar se e vërteta ka qenë krejt tjetër. Refuzimi i takimeve fshihte një skandal.
“Më thoshin je në kamp. Ndërkohë që isha në spital, Për tentative vetvrasje. Nga mërzitja që më rrihnin dhe ofendonin fëmijët e tjerë. Shumë herë. Desha me i dhënë fund jetës”, u shpreh, vajza e mitur e dhunuar.
“Ka pasur periudha të ndryshme gjatë viteve kur shkoja ta takoja më thonin që ishte në kamp, por kampi i saj ishte psikiatria. Nuk më tregonte njeri. Mua më sugjeruan urgjent ta shtroja në psikiatri, u jap emër mbiemër, rezultoi që ishte shtrimi I tretë. Ishte bombë shpërthyese për mua, por stafi I institucionit nuk e pranoi. Ata thanë që kanë qenë thjesht konsulta, ndërkohë që quhet shtrim në bazë të dokumenatcionit të spitalit”, u shpreh nëna e vajzës së mitur të dhunuar.
Pra, nëna përforcoi dyshimet në momentin kur fëmija, ishte shtruar në spital pa dijeninië e saj. Ajo luftoi që ta rimerrte në shtëpi të bijën. Pasi kaloi traumën psikologjike, vajza rrëfeu tek nëna dramën e madhe. Dhuna brenda shtëpisë së fëmijës ishte vetëm një pjesë e historisë. Vajza ka rrëfyer se ishte abuzuar seksualisht në mjediset e tualeteve të shkollës që frekuentonte “Osman Myderizi”.
“Fëmija im është abuzuar seksualisht në moshën 9 vjeçare. Gjatë kësaj kohe qëndronte në isntitucion. E kam zbuluar pasi është shtruar për herë të parë në psikiatri, pasi ka bërë 7 tentativa vetvrasje. Kam qenë unë që e kam shpëtuar në të 7 rastet. Dhe mua në fund mu sos durimi dhe thashë, ok nëse ti do të vrasësh veten, mund ta bësh tani. Ose më trego çfarë ka ndodhur ose bëje tani sepse nuk mund të vazhdoja ashtu pafundësisht. Në ato momente më tha që ishte abuzuar”, tha nëna e vajzës së mitur të dhunuar.
Nëna rrëfen se historia e vajzës së saj nuk është trajtuar nga institucionet. Ajo thotë se i është drejtuar programit “Inside Story” pasi askush nuk e ka dëgjuar. Akoma më keq, ajo pretendon se denoncimet e saj janë mbyllur që çështja të mos kthehej në skandal për institucionet publike dhe drejtuesit në fjalë.
“Vajza është dhunuar seksualisht në ambienetet e tualeteve të shkollës që frekuentonte nga një tjetër fëmijë vetëm një vit më I madh se fëmija im. Gjithçka ka ndodhur aty. Ka pasur hematoma në kofshë, në krahë dhe hemoragji. Si kundrapërgjigje ka marrë gjithmonë në bazë të rrëfimit të fëmijës, akuza, fajësime deri te heqja e kuotës mujore të fëmijës, është bërë ballafaqimi I shkollës me institucionin dhe është vendosur që çdo gjë të mbyllet aty duke e lënë gjithmonë fajtore fëmijën”, deklaroi ajo.
Historia e minorenes është trajtuar në të paktën 2 deponime në Policinë e Tiranës. Po ashtu, minorenia i është nënshtruar edhe ekspertizës për të cilën nëna pretendon se është e manipuluar. Ajo dyshon se gjithçka është bërë për të mbrojtur institucionet dhe zyrtarët që kanë shpërdoruar detyrën dhe kanë lënë fëmijët në mëshirë të fatit.
“Seanca gjyqësore jo, është dhënë dy herë deponimi në komisariat, janë dhënë dëshmi me video dhe audio të vajzës. Më vonë është bërë ekspertizë te IML. IML e ka nxjerrë të paprekur. Unë I jam drejtuar një gjenokologe private sepse vajza kishte dhimbje më tha që është shkatërruar. Kur mori vesh që ishte në isntitucion, u tërhoq. Vajza ka patur abuzime edhe më vonë në institucion përveçse në shkollë. Ma bën vizitën vetëm me një mjek IML. Kam bërë kërkesë për një analizë të dytë. Nuk kam marrë përgjigje. Sot pas 4 vitesh, nuk është bërë asgjë”, theksoi nëna e vajzës së mitur të dhunuar./TCH