Gazetari investigativ Artan Hoxha është shprehur se ngjarja e fundit ku nënë e bir kanë vjedhur një shumë prej 700 mijë eurosh nga banesat ku Rozeta Dobi punonte si sanitare, mund të zbulojë akoma më shumë informacione për zhvillime të tjera.
Në një intervistë për News24, Hoxha tha se Rozeta Dobi ka punuar në banesat e personazheve të rëndësishëm të administratës apo edhe biznesmenë. Sipas tij, ajo mund të ketë informacione të ndryshme mbi ta, apo edhe informacione që mund të zbulojnë afera korruptive ku janë përfshirë. Më tej, Hoxha u shpreh se drejtësia mund t’i ofrojë një marrëveshje Rozeta Dobit që të bashkëpunojë me ta për të nxjerrë informacione të tjera nga puna e saj si sanitare.
“Duhet të jemi të vëmendshëm se cili po jep një informacion të vërtetë dhe cikli është për klikime. Jemi shumë herët për të detajuar me saktësi çfarë ka ndodhur, pasi jemi shumë herët, që kur është arrestuar Rozeta Dobi dhe djali i saj. Është një hetim interesant, do ketë shumë materiale që hetimi të kalojë në duart e SPAK. Rozeta Dobit do i ofrohet një marrëveshje, të bashkëpunojë. Mund të ketë informacione interesante. Ka punuar në një sërë banesash të personazheve të rëndësishëm.
Gjëja më e madhe është informacioni që mund të ketë marrë kjo zonjë për klientët e saj. Mund të ketë informacione që mund të shërbejnë për hetime që mund të zbulojnë afera korruptive. Ne flasim gjithë ditën që në Shqipëri qarkullon para informale. Ngjarja e fundit tregoi që qarkullojnë shumë para jashtë sistemit bankar. Mua më bën përshtypje fenomeni. Kjo ngjarje edhe mund të mos zbulohej.
Unë di plot raste të tjera. Para 5 vitesh kam denoncuar brenda 5 muajsh, ndodhën një seri ngjarjesh. Ndryshe nga kjo ngjarje e sotme nuk iu dha mundësi medias të publikonte shumë informacione. brenda këtij harku kohor, arriti që të grabiste banesat e disa ministrave në detyrë të qeverisë Rama. Ish-ministra të mëparshëm të PD-së, funksionarë të të dyjave kabinete. Shumat e grabitura luhateshin nga 5 mijë euro në 1.5 mln euro në banesa të ndryshme. Edhe kur policia e merrte vesh nga informacioni në terren, paraqitej në banesat e ministrave dhe ata i thoshin që nuk është e vërtetë që ka ndodhur”, tha Hoxha.