Qeveria shqiptare ka nënshkruar sot marrëveshjen për ndërtimin e aeroportit të Vlorës. Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, tha në një deklaratë për mediat se punimet do të nisin pas 14 muajve, pasi do të bëhet një studim i detajuar mjedisor dhe arkeologjik. Balluku tha se aeroporti i Vlorës do të jetë një mundësi për zhvillim ekonomik në vend. Ajo është shprehur se me ngritjen e Aeroportit të Vlorës, do të hapet mundësia për investime shumë të mëdha në sektorin turistik.
“Me ngritjen e Aeroportit të Vlorës do të hapet mundësia për investime shumë të mëdha në sektorin turistik. Punimet do të nisin brenda 14 muajve, do të ketë një fazë përgatitore për sa i përket studimit mjedisor, ku është një aeroport që do të ngrihet sipas kritereve evropiane, do të ketë edhe një studim arkeologjik, më pas 8 muaj do të jenë në dispozicion për përmbushjen e kushteve paraprake dhe dorëzimit të masterplanit dhe 6 muaj për marrjen e lejeve të ndërtimit.
Këto janë afatet maksimale të ligjit, dhe do mundohemi t’i mbyllim sa më shpejtë. Në fazën e parë, përfshin ndërtimin e terminalit dhe nisin operimet dhe faza e dytë konsiston në zgjerimin e terminalit të pasagjerëve do të fillojë pas vitit të 4 të operimeve. Jo vetëm do të ketë injektimin direkt të 104 milionë eurove në ekonomi, por edhe në zhvillime në fusha të tjera”, tha Balluku.