Për shtetasit e huajt që duan të përfitojnë nënshtetësinë shqiptare, gjuha Shqipe nuk do të jetë më kusht, nëse ata kanë lindur fëmijë gjatë qëndrimit të rregullt në vendin tonë.
Në bazë të ligjit të shtetësisë, të propozuar nga qeveria në Kuvend me disa ndryshime, parashikohet heqja e disa kritereve në përfitimin e saj. Hapi i parë është e drejta e fëmijës së lindur në Shqipëri që të përfitojë shtetësinë pa mbushur moshën madhore.
Ligji parashikon se një fëmijë i lindur brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, nga prindër me shtetësi tjetër, të cilët qëndrojnë në mënyrë të ligjshme në territorin e Republikës së Shqipërisë, mund të marrë shtetësi shqiptare me pëlqimin e të dy prindërve.
Pasi fëmija ka marrë shtetësinë shqiptare falë kësaj procedure të thjeshtuar, projektligji i propozuar nga Qeveria parashikon edhe për prindërit e tij mundësinë që të përfitojnë pasaportën e Republikës së Shqipërisë.