Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një bashkëbisedim në auditorin e Institutit Mbretëror të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Chatham House. Ky është një institut i pavarur politikash me seli në Londër. Kreu i qeverisë po zhvillon prej 2 ditësh një vizitë zyrtare në Britaninë e Madhe.
Gjatë fjalës së tij Rama përfytyroi për një moment sikur rolet u këmbyen.
“Nëse rusët do të pushtojnë Britaninë, ju ejani tek ne, ne do t’ju mbrojmë nga Putini dhe nga Suella Braverman të dy, kjo është e sigurt, do t’ju mbrojmë”, u shpreh kryeministri shqiptar.
Duke u ndalur tek largimi i të rinjve, kreu i qeverisë u shpreh se sot jetojmë në një vend demokratik dhe njerëzit janë të lirë të lëvizin kudo ato duan.
“E di që nuk është korrekte për mua, por nuk u them njerëzve që duhet të rrini këtu sepse këtu është vendi juaj. Kur isha i ri nuk mund të largohesha nga vendi, por sot ajo për të cilën luftova është që Shqipëria është një vend i lirë dhe mund të lëvizësh kudo. Si tu thuash njerëzve qëndroni këtu pasi këtu e keni vendin, jo! Nuk u thua njerëzve e ardhmja është e ndritshëm rri këtu me mua, por jo nëse do të largohesh largohu, nëse do të qëndrosh, qëndro” – tha Rama.