Nesër nis Parlamenti i ri, priten dy mbledhje brenda ditës/ 39 deputetë do të jenë gra, ja çfarë tjetër duhet të dini

Ditën e nesërme do të mblidhet Parlamenti i ri i Shqipërisë, ku do të ulen deputetët fitues të dalë nga zgjedhjet e 25 prillit. Kuvendi ka njoftuar se seanca do të zhvillohet në orën 10:00 të paradites, por mësohet se do të njoftohet edhe një mbledhje e dytë në orën 17:00 të pasdites.

Për herë të parë në historinë politike të 30 viteve të fundit një mazhorancë drejton vendin në tre mandate. Në zgjedhjet e fundit parlamentare Partia Socialiste me në krye Edi Ramën mori të njëjtin numër 74 deputetë, të njëjtin numër si në 2017. PD dhe koalicioni 59 deputetë, LSI 4 dhe PSD e Tom Doshit 3 deputetë.

74 nga 140 deputetët e Kuvendit të ri do të jenë burra dhe 39 gra. Nga deputetët e Partisë Socialiste, 46 do të jetën burra, 29 gra. Tek Partia Demokratike 42 deputetë janë burra dhe 17 gra, 2 nga 4 deputetët e LSI janë burra dhe 2 gra, ndërkohë që tek PSD e Tom Doshit janë 2 deputete gra dhe 1 burrë.

Seanca e parë pritet të ketë më së shumti një atmosferë formale, ku do të nisë procesi i verifikimit të mandateve të ligjvënësve dhe betimit të tyre. Kjo do të jetë seanca e parë, pas të cilës do të thërritet një e dytë, në të cilën do të votohet kryetari i ri i Kuvendit.

Seanca e parë, do të drejtohet nga deputeti më i vjetër në moshë dhe sipas të dhënave të përpunuara nga Instituti i Studimeve Politike, kjo përgjegjësi do i takojë Luljeta Bozos, e cila është 79 vjeçe.

Nëse deputetja socialiste nuk do pranojë ta drejtojë seancën, radha do i kalojë Sali Berishës, i cili në tetor bën 76 vjeç.

Kryeministri Rama ka propozuar si kryetare të Kuvendit, Lindita Nikollën,  e dyta grua drejtuese pas Jozefina Topalli, që drejtoi kuvendin për demokratët në dy mandatet qeverisëse në vitet 2005-2013.

Ndërkohë, duke qenë se janë ende në fuqi masat për mbrojtjen nga pandemia Covid-19, Kuvendi ka njoftuar se nuk është e mundur që gazetarët dhe kamerat të hyjnë në sallë, por do të lejohen vetëm në oborrin e Sallës së Seancave Plenare, në vendin e caktuar për shtypin.

“Me rastin e fillimit të Legjislaturës së X të Kuvendit dhe sesionit të parë të kësaj Legjislature, uroj të kemi një bashkëpunim të suksesshëm.” Zyra e Shtypit dhe shërbimet e Kuvendit do të ofrojnë të gjithë mbështetjen dhe përkushtimin e tyre për të rritur transparencën e bashkëpunimit me median, në mënyrë që publikut e qytetarëve t’u ofrojmë informacion të plotë mbi veprimtarinë e Kuvendit të Shqipërisë”, thuhet ndër të tjera në njoftim.

64 nga 140 deputetët që do të marrin mandatin në shtator nuk kanë punuar kurrë më parë si ligjvënës.

31 nga 74 deputetët socialistë ulen për herë të parë në Kuvend. Partia Demokratike ka 29 deputetë të rinj nga 59 përfaqësuesit e saj në Kuvend.

Partia Socialdemokrate i ka të gjithë deputetët të rinj, kurse LSI ka vetëm një emër të ri mes katër deputetëve të saj.

25 nga 64 ligjvënësit që hyjnë për herë të parë në kuvend janë gra, konkretisht 13 nga PS, 10 nga PD dhe 1 nga PSD.

Pesë nga deputetët e zgjedhur në 25 prill kanë hequr dorë nga mandatet e tyre. Tom Doshi, Gramoz Ruçi, Mark Marku, Najada Çomo dhe Lefter Koka kanë zgjedhur që të mos jenë pjesë e legjislaturës së ardhshme.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *