Paralelisht me Kuvendin e thirrur nga Lulzim Basha, demokratët janë ftuar nga Sali Berisha në Referendum për të vulosur shkarkimin e kryetarit.
Në 71 degët e partisë janë ngritur 106 qendra votimi, ku vetëm për kryeqytetin do të ketë 22 të tilla. Për të shmangur çdo incident, selia blu nuk do jetë vend votimi, ndërsa Sali Berisha do votojë në një ambient pranë ambasadës amerikane.
“Duke qenë se në selinë e PD-së është uzurpuar nga njerëz të armatosur për të shmangur çdo provokim apo incident, kemi vendosur që Këshilli Kombëtar dhe dega 2 këtë herë s’do votojnë në seli por në ambientet e Bar Amerikës, ngjitur me ambasadën amerikane, aty do të votojë dhe zoti Bërisha”, thotë Belind Këlliçi.
Disa degë të Partisë Demokratike kanë mbyllur dyert, pasi nuk e njohin Referendumin e Sali Berishës.
“Ka problem me drejtuesit që zoti Basha ka dhënë urdhër për të ndërruar bravat, kjo situate është e zgjidhur aty ku janë mbyllur bravat do të ketë ambiente ngjitur ku ne do të kemi sekretarin e degës ose nënkryetarin e degës. Basha s’e kupton që referendumin nuk e ndalon as me vulë dhe as me bravë, kjo është çështje shumice. Ne s’na intereson incidenti dhe konflikti se kemi shumicën”, thotë Këlliçi.
Belind Këlliçi, anëtar i komisionit për rithemelimin e PD-së sqaron se qendrat e votimit do të qëndrojnë të hapura deri në orën 17:00, ndërsa do të numërohen në kohë reale në vendet e votimit dhe rezultati do t’i përcillet komisionit zgjedhor në Tiranë. Referendumi do të pasohet me një protestë kombëtare.
/Burimi: Top Channel/