Tri lajmërime vdekjeje në një tabelë, një ditë pas masakrës së Fushë-Krujës. Brilant Martinaj, 23 vjeç, do të përcillet sot në banesën e fundit, pasi u vra dje te mbikalimi i Fushë-Krujës, së bashku me Besmir Hoxhën dhe Dikler Vata, i cili dyshohet se ishte truprojë e Brilant Martinaj, kushëri i parë me famëkeqin Ervis Martinaj.
Ekzekutimi ishte i një natyrë mjaft makabër, mbi 60 gëzhoja u gjetën në vendngjarje, prej tyre vetëm dy kanë shkuar bosh.
Pavarësisht se viktimat kanë qenë të pajisur me armë me vete, nuk kanë pasur mundësi të kundërpërgjigjen.
Autorët kanë qenë shumë të sigurt për rrugën që do të ndiqte Blirant Martinaj, që do të shkonte nga lart mbikalimit, duke shmangur edhe kamerat.
Mjeti i ka shkuar nga pas, i ka prerë rrugën dhe me breshëri automatike ka ekzekutuar në vend Brilant Martinaj dhe Besmir Hoxhën, ndërsa Dikler Vata, edhe pse i plagosur, ka arritur të dalë nga makina. Grupi hetimor mendon se Vata ka dalë nga automjeti për t’u vetëmbrojtur.
Autorët gjatë ikjes e kanë pikasur, ata janë kthyer dhe kanë qëlluar përsëri për vdekje Vatën, më pas kanë spërkatur mjetin me lëndë djegëse.
Dyshohet se kjo është një teknikë ushtarake, që përdoret në ushtri. Kjo ngre dyshime që autorët e masakrës kanë qenë të mirëpërgatitur dhe me pagesë.
Saktësia në qitje, mënyra e daljes nga makina, të tre në mënyrë simetrike, të bën të dyshosh që ekzekutorët të jenë ish-pjesëtarë të forcave speciale. Kjo duket nga organizimi tyre edhe nga qetësia e saktësia e veprimeve. Armën automatike MP5 mund ta përdorin vetëm pjesëtarë të forcave speciale, për shkak të precizionit, pasi është armë që vështirë mund të kontrollohet në qitje. Vetëm pjesëtarë të forcave speciale të RENEA-s, REPARTIT TË OPERACIONEVE SPECIALE TË USHTRISË edhe të GARDËS janë të aftë ta përdorin.
Kjo bën që policia të arrijë në konkluzionin se atentati ishte mjaft i shtrenjtë dhe duke bërë të dyshojnë se, në fakt, autorët prisnin të godisnin një person me peshë më të madhe sesa tre të rinjtë, dyshohet se ka qenë e planifikuar për Ervis Martinaj.
Pavarësisht se Brilant Martinaj dyshohej si autor i vrasjes së efektivit të FNSH-së, Xhulio Prelës.
Deri më tani autorët janë të paidentifikuar. Ndërsa makina pak momente pas atentatit u gjet e shkrumbuar në fshatin Larushk, disa kilometra nga Fushë-Kruja, ku në brendësi kishte edhe 3 kallashnikovë. Automjeti tip Passat i autorëve u shkrumbua plotësisht, duke mos u lënë mundësi hetuesve për të gjetur prova të shumta.
Autorët largohen sërish në mënyrë të organizuar, duke u marrë nga një makinë tjetër, e cila dyshohet pikërisht se ka qenë makina që ndoqi viktimat nga Rinasi deri në Fushë-Krujë.
Policia e Shtetit u ka kërkuar ndihmë e qytetarëve, duke vënë 3 milionë lekë të reja në dispozicion të atyre që japim informacion për identifikimin e autorëve të masakrës së Fushë-Krujës.
Policia po heton në disa pista sa i takon vrasjes së trefishtë, ndërsa po verifikohen kamerat e sigurisë në rrugë dhe objekte private, për të përfituar imazhe që do të ndihmonin hetimin në gjetjen e autorëve.