Nga ardhja në jetë e 2 binjakëve deri tek burri i saj që e mban ‘misterioz’, njihuni me anën tjetër të Eni Vasilit

Në shtëpinë e gazetares së njohur Eni Vasili këto festa kanë trokitur ndryshe, edhe pse prej pesë muajsh kjo shtëpi gëzon çdo ditë e çdo çast harenë dhe regëtimin e dy vogëlusheve, Sofia dhe Nikol.

Është një fundvit ndryshe, me emocione të forta e ndjesi marramendëse, një dhjetor që ka shpërndarë magji e dritë gëzimi.

Për Enin dhe bashkëshortin e saj Armandin, Sofia dhe Nikol janë dhuratat më të çmuara që u dhuroi ky vit i vështirë. Një vit i fortë, në të cilin ajo me profesionalizëm arriti t’ia dilte, duke sfiduar dhe veten.

Sofia dhe Nikol erdhën bash në mes të pandemisë, kohë kur njerëzimi shtronte pikë – pyetje të mëdha për ekzistencën, për sistemin ku kemi ngecur, për dështimin e politikës siç e kemi njohur deri sot, për ndërtimin e një rendi të ri botëror e qindra mëdyshje si këto.

Në një intervistë për Revistën Living, Eni Vasili rrëfen për këto dy mrekulli të vogla, për vitalitetin dhe forcën që i kanë dhënë, për rolin si grua dhe nënë e mbi të gjitha për profesionin dhe për përpjekjen e vazhdueshme për një gazetari të pastër.

Njihuni me një Eni ndryshe, përtej kornizës së një programi politik dhe shpeshherë të ngurtë.

Gjatë këtyre orëve transmetim kemi parë dhe përlotje. Sa e vështirë ka qenë për ju kur morët vesh për shtatzëninë? A menduat ndonjëherë në ato çaste ta linit punën?

Në më tepër se njëzet vjet karrierë si gazetare e afro pesëmbëdhjetë prej tyre si autore e një emisioni politik, çaste të vështira e delikate mund të numëroj shumë. Ne gazetarëve na mësojnë në libra se, që të jemi profesionistë të mirë duhet të mos përfshihemi në ngjarjet që tregojmë, për të mos humbur paanshmërinë dhe objektivitetin. Sigurisht, në libra nuk të thonë se si ta bësh këtë, kur sheh “live” se si nxirren trupat e përqafuar nga gërmadhat e një tërmeti, se si të intervistosh mjekë të traumatizuar nga numri i lartë vdekjeve që kanë patur atë ditë apo një tjetër që i është dashur të përzgjedhë kë të fusë në të vetmin aparat intubimi të mbetur në spital. Jo, nuk kam menduar kurrë ta lë profesionin, pasi do të isha një gjysmë unë.

Si arrini ta menaxhoni situatën gjatë emisionit, në momentin kur ndizet një debat? A keni patur ndonjë situatë të sikletshme?

Sekreti është te njohja e debatit, temës dhe personazheve. Pas pesëmbëdhjetë vjetësh në tryezën e debatit politik, tashmë nuk ka shumë surpriza për temperamentin e shumëkujt. Ka rishtarë në politikë që nuk dinë ta përballojnë presionin e një debati televiziv, i cili është realisht i fortë. Ka nga ata që pafuqinë për t’u përballur e shprehin me banalitetin e gjuhës dhe jo me forcën e argumentit, apo të tjerë që largohen nga studioja për shkak të paaftësisë për t’u përballur. E vërteta është që të paktën që nga viti 2005, kohë kur fillova emisionin tim politik, debati i politikës është varfëruar shumë, sepse qeverive gjithmonë e më shumë nuk u pëlqen të japin llogari dhe sabotimi i një ringu televiziv shpesh bëhet sporti i preferuar i zëdhënësve dhe njerëzve të PR-it. Kjo edhe për shkak të nivelit të ulët intelektual dhe akademik të futjeve të reja në politikë e në parlament. Polemistët e mirë e të motivuar kanë mbetur pak. Ata janë zëvendësuar me një lloj tjetër njeriu politik: “No name, no face, no number.”

A keni menduar ndonjëherë të ndryshoni formatin e programit? Shumica e të ftuarve në panel janë meshkuj. Si keni arritur ta ruani feminitetin në këtë vorbull mashkullore?

Ndonjëherë, kur shikoj programet e kolegëve që mer – ren me “show biz”, modë e spektakël them që kam zgjedhur zhanrin e gabuar. Jo se puna e tyre nuk ka stres dhe impenjim, por ka si qëllim të bukurën. Personazhet mezi presin të shkojnë në formate të tilla ku dëfrimi, humori, lehtësia e qenies është në qendër të formatit. Një debat televiziv politik ka humbës e fitues, ka gjithmonë njerëz që ikin të pakënaqur, të mundur, të sfiduar. Ka gjithmonë nga ata që ngurrojnë ose vijnë të detyruar. Temat e një debati të profilit tim janë impenjative dhe kërkojnë publik të vëmendshëm dhe përqendrim të posaçëm. Aq më shumë pastaj, kur jo rrallëherë debatet përfundojnë në akuza personale. Këto të fundit do t’i konsideroja çastet më të sikletshme.

Me cilin nga krerët e partive kryesore ndiheni më komode gjatë emisionit?

Nuk mund t’i diferencoj. Secili vjen me bagazhin e vet jetësor dhe politik në studion time. Në këto pesëmbëdhjetë vjet kemi realizuar dhjetëra intervista dhe debate në momente nga më të ndryshmet të historisë politike në vend. Qëllimi i çdo emisioni është të marrim prej tyre, atë që ata nuk duan ta thonë. Kështu, komoditeti është një luks që nuk mund ta ketë askush, as gazetarët dhe as personazhet politike.

Në ekran shfaqeni gjakftohtë, këmbëngulëse, e vendosur dhe mbi të gjitha asnjanëse. Sa e ftohtë jeni përtej debatit të ekranit? A vazhdoni ta ruani qetësinë apo keni dhe ju momentet tuaja të shpërthimit?

Sigurisht që i kam, ashtu siç ndonjëherë ndodh t’i kem edhe “live” në emision. Nuk më pëlqen profili i drejtuesit të emisionit, aq protagonist sa të dëmto – jë debatin, por ka raste që nuk mund ta shmangësh shpërthimin. Unë jam ajo që shikoni në ekran. Pa filtra.

Jeni mjaft e rezervuar për jetën private. Besoj se kjo zgjedhje ka arsye…

Ka një arsye të thjeshtë. Unë nuk jam në tregun e gazetarisë as për këpucët që vesh dhe as për perdet e shtëpisë. Jam në një përpjekje që nuk mbaron, në kërkim të disa të vërtetave. Kam besuar gjithmonë që publikut i intereson më shumë produkti i punës sime, sesa vendi ku unë kaloj fundjavën apo çfarë kam ngrënë për drekë gjatë javës. Është e qartë që në erën e rrjeteve sociale, kufiri mes publikes e privates për personazhet e ekranit është shkrirë. Ndoshta publiku ka patur një uri për të parë përtej dyerve të shtëpive të personave të njohur. E vërteta është që shumë nga këto dyer, jo u hapën, po thuajse u shqyen duke krijuar realitete iluzive të një jete të pavërtetë. Dalëngadalë këto rrezikojnë të bëhen modele të gabuara.

Si e pritët shtatzëninë, përtej “Open”?

Si surprizën më të bukur, por me vetëdije të plotë për lumturinë dhe preokupimin që sjell ngjizja dhe krijimi. Mbaj mend që bëra testin, por isha aq vonë për në punë, sa e lashë mbi lavaman dhe ika. Kur u ktheva, e kisha harruar dhe kur pashë vijat e kuqe, sa nuk më doli zemra nga vendi. Ia dërgova doktor Kostës në foto e ai më tha: “Urgjent në klinikë nesër në mëngjes, ta verifikojmë.” Vetëm pas verifikimit e ndava lajmin me Armandin dhe familjen.

A u emocionuat kur u njohët me gjininë e tyre? Jeni e lumtur që keni dy vajza e jo një djalë dhe një vajzë?

Jam e lumtur që Sofia e Nikol janë dy engjëj që gëzojnë shëndet të plotë dhe rriten çdo ditë, duke na zbukuruar jetën. Janë si një diell ku ngrohemi të gjithë nga pak. Nuk do të kisha ndryshuar asgjë nga skenari që universi kish përgatitur për mua. Nikol është një bebe solare, që qesh me të gjithë dhe duket se do të fitojë zemrën e gjithkujt, ndërsa Sofia duket sikur e pretendon këtë vëmendje pa patur nevojë ta fitojë. Është shumë dëfryese të mundohesh të kuptosh trajtat e karakterit të tyre mes gugatjeve, ndërrimit të pelenave dhe zhurmës së rraketakeve në shtëpi. Tani vëmendja e të dyve është vetëm për to dhe meraku apo malli janë bërë ndjen – ja që na pushtojnë kur jemi larg. Këta pesë muaj kanë kaluar mes preokupimit dhe lumturisë, duke u përqendruar me shumë te vajzat, sesa te njëri-tjetri. Ajo që shoh, është që Armandi është një baba i apasionuar dhe unë një nënë në merak të vazhdueshëm. A pinë sa duhet, a fjetën sa duhet, si reagojnë, sa gugatin e të tjera si këto.

Tanimë, shohim ndonjë postim tuajin në Instagram dhe ato janë tortat e ditëlindjeve gjatë këtyre pesë muajve të Sofia dhe Nikol. Mos ndoshta keni rënë në “grackën” e postimeve në rrjete sociale?

Nuk do thoja. Për momentin e konsideroj një lumturi që dua ta ndaj me ndjekësit e mi.

U rikthyet në ekran pas dy muajsh nga lindja e vajzave. Përtej menaxhimit të kohës dhe të një jete të re, ishit në formë shumë të mirë fizike. Si arritët t’i rrëzonit kilogramët e tepërt, apo nëpërmjet veshjes zvogëluat siluetën?

Të dyja bashkë. Kam arritur të heq shumë kilogramë vetëm për shkak të lodhjes dhe impenjimit të muajve të parë. Duke qenë dy bebe, angazhimi është shumëfish. Nuk kam bërë asnjë dietë deri tani dhe nuk po ndjek asnjë regjim ushqimor specifik, edhe pse do të doja, por impenjimet ma pamundësojnë në këtë moment. Kam ende punë për të bërë, për të arritur formën time fizike, por nuk kam gjetur ende kohë për t’u marrë me veten. I kam premtuar vetes se në janar do të filloj palestrën. Të shohim a do ta mbaj këtë premtim.

Gjatë karrierës suaj televizive, kush ka qenë ai syri kritik, si nga familja apo edhe nga shoqëria, që ju ka sugjeruar apo ju ka vënë në dukje diçka për ta përmirësuar?

Babai ka gjithmonë një kritikë për debatin e radhës, për zgjedhjen e të ftuarve, për batutën e munguar ose për sherrin e tepruar. Ndërkaq, nëna ka qenë gjithmonë mbështetje pa kushte. Kjo ka qenë tabloja postemision që kam gjetur kryesisht në familje.

Përtej një gazetareje perfekte, sa perfekte jeni në kuzhinë? Cila është receta juaj e preferuar e Krishtlindjes apo Vitit të Ri?

Oh, nuk mendoj se ka asgjë perfekte te unë, përveç Sofisë e Nikolës. Të gjitha të tjerat janë një përpjekje e vazhdueshme drejt përsosjes. Në kuzhinë, për fat të keq, nuk sprovohem shpesh për shkak të angazhimeve, por ama kur e bëj, edhe aty kërkoj suksesin. Gjeli dhe përsheshi i bërë nga mami janë ato që më bindin se ka ardhur Krishtlindja.

Eni Vasili bëhet nënë e dy vajzave binjake: Më risollën në jetë - Opinion.al

Në pritje të ëmbël, Eni Vasili tregon për herë të parë se ku e ka njohur  bashkëshortin - Abc News

Eni Vasili bëhet nënë për herë të parë, sjell në jetë 2 vajzat e saj  binjake - POLITIKOFF

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *