Këngëtarja Semi Jaupaj ka preferuar të qëndrojë larg intervistave në ekran dhe që pas daljes nga “Big Brother Vip” ka realizuar vetëm një intervistë. Por së fundmi ajo ka gjetuar pak kohë për ndjekësit e saj në ‘Instagram’, duke iu dhënë mundësinë t’i drejtojnë disa pyetje.
Sigurisht nuk kanë munguar pyetjet rreth çiftit Bora-Donald. E pyetur se “Si janë Bora dhe Donaldi?”, Semi përgjigjet “Nga fotoja dukeshin shumë mirë”, referuar postimit të çiftit ditën e djeshme në rrjetet sociale.
Po ashtu, kur i është kërkuar një foto me Donaldin ajo ka ndarë një nga “Big Brother VIP”, për të cilën aktori shkroi me humor: “Dhe ta mendosh se ke qenë e shëndoshë!”
Ndërkohë fansat i kanë kërkuar një bashkëpunim me Yll Limanin, gjë për të cilën Semi tha se duhet t’ia kërkojnë artistit. Gjithsesi nuk i kurseu falenderimet për të duke thënë se është mirënjohëse sepse e ka mbështetur që në fillimet e saj. “Gëzuar ditëlindjen! Të kam shumë xhan! Faleminderit për mbështetjen që më ke dhënë që ditën e parë timen!”- u shpreh ajo drejtuar Yllit.
Gjithashtu Semi u pyet nëse kënga e saj e fundit është dedikim ajo tha: “Arti është frymëzim, artistët frymëzohen nga cicërimat e zogjve, nga dielli, nga shiu, nga dashuritë. Nga ato të pastra të sinqerta.”
Mes të tjerash Semi ka treguar se nuk do marrë pjesë në “Kënga Magjike”, por do jetë pranë fansave me këngë të reja. E pyetur për betejën me ankthin këngëtarja tha se nuk ka kaluar ende dhe se ka “kohë kur ndihem mirë, ka kohë kur ndihem keq”. Sigurisht nuk ka munguar një pyetje për “Big Brother VIP”. Si i ka raportet ajo me ish-banorët?
“Marrëdhëniet me ish-banorët i kam shumë të mira. Me ata që kam ndenjur brenda. Vazhdoj ta ruaj shoqërinë edhe jashtë. Sigurisht tani i jemi kthyer jetës normale, nuk rrimë dot 24 orë me njëri-tjetrin. Se cili ka punët dhe hallet e veta, por shkruhemi, pyetemi “Si je”, urohemi për ditëlindje…” tha Semi.