Ish-sulmuesi i Milanit Alesandre Pato dhënë një intervistë për “The Players Tribune” ku ka zbuluar detaje nga jeta dhe karriera e tij.
FILLIMET – “Rrjedh nga një familje e dobët ekonomikisht. Shansi m’u dha nga Internasionali i Porto Alegres, por ai klub nuk më ofronte dot fjetjen. Babai ime rregulloi diçka afër një bordelloje dhe unë nuk u ankova kurrë. Në Brazil ishte çmenduri, sidomos në ndeshjet e futbollit ku shpesh shihja njerëz që bënin seks në shkallët e stadiumit”.
HUTIMET – “Isha shumë i ri dhe shkoja shpesh nëpër festa. Mbase ishte tepër i ri për ta përballur. Jam larguar nga shtëpia që 11 vjeç, por në atë moshë nuk je gati për botën. Ndiqja ëndrrën, por isha vetëm e mund të kisha humbur rrugën time. Stërvitesha fort gjithmonë, por fantazia ime më ka çuar në vende të të gjitha llojeve. Pasi debutova kujtova se kisha arritur qiellin. Në mendjen time kisha fituar edhe ‘Topin e Artë’. Kisha sakrifikuar shumë e mendoja se e meritoja të shijoja gjithçka që mundja”.
TRANSFERIMI TE MILANI – “Mund të shkoja te Barcelona, Ajaksi apo Reali, por zgjodha Milanin. Përse do të thoni ju? E thjeshtë. Keni luajtur ndonjëherë ‘Playstation’ me atë Milan. Lojtarë të pabesueshëm, Kaka, Sedorf, Pirlo, Maldini, Nesta, Gatuzo, Shevçenko… O Zot, Shevën nuk e ndalje dot kurrë. Aty ishte edhe Fenomeni, Ronaldo i vërtetë, dhe kisha mundësi të luaja me të. Sapo kishin fituar Champions-in dhe për mua ishin skuadra e ëndrrave”.
ANÇELOTI – “Karlo ishte si baba për mua dhe i vuri qenit emrin tim. E keni parë si festonte me Realin me syze të errëta e me puro në gojë. Ja, ashtu vinte edhe te Milani. Ndonjëherë me helikopter të cilin dinte ta drejtonte gruaja e tij. Si Xhejms Bondi. Stilin e Ançelotit nuk e ka askush”.
DËMTIMET – “Në vitin 2010 nisa të dëmtohem shpesh. Humba besimin në trupin tim dhe nëse dëmtohesha nuk e tregoja. Një herë ndrydha kaviljen e nga frika për të folur luajta me një ënjtje gjigante. Problem i madh edhe me doktorët sepse çfarë më thoshte njëri nuk ma këshillonte tjetri. Diagnoza ishte se reflekset e mia nuk ishin në linjë me muskulaturën. Për shkak të dëmtimeve muskujt e mi ishin shkurtuar. Edhe masa muskulare ishte shpërndarë keq. Nëse pjesa e përparme e kofshës ishte e mbushur, në pjesën e pasme isha i dobët. Mbaj mend që në Gjermani më injektuan një lëng dhe të nesërmen ecja i kërrusur, ndërkohë që një mjek tjetër më bëri për disa ditë me radhë nga 20 injeksione në mëngjes e darkë”.
PSG-ja – “Isha gati për PSG-në që më bëri një ofertë të majme, ndërkohë Galiani ndodhej në Angli për të blerë Tevezin. Berluskoni nuk donte që të largohesha. Teksa isha i dëmtuar, tifozët mendonin se isha unë ai që vendosi të mos largohej. Edhe shtypi çfarë nuk shkruante, ndërkohë që unë kisha qenë i gatshëm të pranoja PSG-në”.
BESIMI FETAR – “Pas përvojës në Kinë isha beqar, ndaj vendosa të shijoja lirinë time. Shkova në Los Anxhelos. Doja hotelin më të shtrenjtë, makinën më të mirë dhe festat më ekskluzive. E gjeta veten në këtë vend ku vajza pranë meje po thithte kokainë. Papritur mendova, çfarë po bëj këtu? Kjo nuk ishte ajo që doja. Ishte një botë boshe.
E pyeta një mik: ‘A do ta kaloj vërtet pjesën tjetër të jetës vetëm?’ Kështu që u ktheva në Brazil dhe i shkrova një shoqeje të vjetër, Rebekës: ‘A dëshiron të dalësh?’ Pimë një kafe dhe pas disa sekondash mendoj: Po, kjo është ajo që dua.
Herën tjetër që u takuam, ajo thotë: ‘Do të shkojmë në kishë.’ Kishë? Ishte një zbulim, Bibla kishte të gjitha përgjigjet që kërkoja. Ktheva kokën nga qielli dhe thashë ‘Zot, nuk e dua më këtë jetë’. Atë ditë jeta ime ndryshoi përgjithmonë”.