Tina Turner, ylli i muzikës “Rock ‘n’ Roll” ka ndërruar jetë në moshën 83-vjeçare.
Ylli botëror i muzikës është lindur më 26 nëntor 1939 dhe rritur në Nutbush, Tennesse, ku ajo kujtonte se si mblidhte pambuk me familjen e saj.
“Ajo ka kënduar në korin e kishës në qytetin e saj dhe si adoleshente ka kënduar në grupin muzikor të burrit të saj, Ike Turner, në ST Louis, i cili fillimisht e kishte refuzuar kërkesën e saj për t’u bërë pjesë e grupit”, shkruan The Guardian.
Bashkëshorti i Tina Turner ishte abuziv ndaj saj saqë kur kishte shprehur dëshirën të largohej herët nga grupi, ai kishte ushtruar dhunë mbi të.
“Marrëdhënia ime me Ike u dënua ditën kur ai kuptoi se unë do të bëhesha krijuesja e tij e parave. Ai kishte nevojë të më kontrollonte, ekonomikisht dhe psikologjikisht, kështu që nuk mund ta lija kurrë,” shkroi Turner në biografinë e saj.
Në vitin 1960, Tina debutoi në bashkëpunim me burrin e saj, Ike. Kënga titullohej “A Fool in Love”.
Në gjysmën e dytë të viteve ’60, dyshja u shoqërua nga shumë prej emrave më të mëdhenj të Rock-ut. Ata po bënin histori duke mbërritur majat e suksesit kur Turner u nda nga Ike në vitin 1976, pasi ai ishte bërë i dhunshëm dhe i pabesë. Kënga e fundit me grupin ishte “Baby”.
Më pas, Turner ndoqi një karrierë solo duke publikuar dy këngë.
Jashtë muzikës, ajo ishte edhe aktore, duke luajtur në filmin Mad Max Beyond Thunderdome, në 1985.
Ajo botoi kujtimet e saj të para, bestseller-in Tina, në vitin 1986, i cili më vonë u përshtat në filmin e vitit 1993 “What’s Love Got to Do With It?” me Angela Bassett në rolin e Turner.
Në vitin 1995, ajo këndoi melodinë e filmit të James Bond, Golden Eye.
Në vitin 2000, Turner njoftoi tërheqjen e saj nga muzika, një vit pasi publikoi albumin e saj të fundit solo, Twenty Four Seven, megjithëse ajo do të kthehej në skenë në vitin 2008, duke performuar në çmimet Grammy me Beyoncé dhe për një turne të fundit për të shënuar 50 vjet të karrierës së saj.
“Isha lodhur duke kënduar dhe duke i bërë të gjithë të lumtur”, kishte thënë Turner. “Kjo është gjithçka që kam bërë në jetën time”.
Turner u martua me burrin e saj të dytë, ekzekutivin gjerman të muzikës ErWin Bach në korrik të 2013-tës pas 27 vite bashkëjetesë dhe jetuan më pas në Zvicër.
Fëmija i saj i parë, Craig Raymond Turner, vdiq në korrik të vitit 2018. Vitin e kaluar, pas vdekjes së djalit tjetër të saj Ronnie në moshën 62-vjeçare, Turner tha se ai “u largua nga bota shumë herët”.
Ajo ka lënë pas dy nga djemtë e Ike Turner, Ike Turner Jr dhe Michael Turner, të cilët i adoptoi.
Në vitin 2016, Tina Turner u diagnostifikua me kancer të zorrëve ndërsa një vit më vonë pati transplant të veshkës.
Ndonëse gjatë viteve të fundit ishte shëndetligë, Turner kishte deklaruar se pavarësisht kësaj, 10 vitet e fundit të jetës së saj e kanë mishëruar versionin ideal të lumturisë.