Për kryeministrin Rama mund të thuhet se është një “gjahtar” i zoti i kapjes së famës dhe vëmendjes, duke bërë që çdo moment me persona të famshëm rreth tij ta vërë në shërbim të tij.
Si në shumë raste kur ka zhvillime të jashtëzakonshme, apo aktivitete ndërkombëtare, edhe këtë herë në samitin e Glasgowut, kryeministri Rama ka ditur që t’i bëjë vetes dhe postit që ka një marketing të jashtëzakonshëm.
Kryeministri Rama, ka publikuar sot një album me foto nga dita e dytë e Konferencës së Klimës “Cop26”, e cila po mbahet në Glasgow, Skoci.
Rama është takuar me një pjesë të madhe të liderëve botërorë që janë të pranishëm në këtë samit. Ai po ashtu, u takua edhe me aktorin e njohur, Leonardo Di Caprio, i cili ishte i pranishëm aty në cilësinë e ambasadorit të mbrojtjes së natyrës.
Ai shihet duke biseduar me ish-kryeministren e Britanisë së Madhe, Teresa May, me kryeministrin kanadez Justin Trudeau, kryeministrin e Izraelit, princin e Arabisë Saudite etj.
Por kjo nuk është hera e parë që kreu ynë i qeverisë, kërkon të marrë pak nga shkëlqimi i personave që e rrethojnë dhe arrijnë të realizojnë gjëra të bukura.
Kujtojmë kthimin e Kombëtares Shqiptare nga Armenia në vitin 2016, kur sapo kishin siguruar pjesëmarrjen e parë në një kampionat europian. Këtë verë pati dhe një mori takimesh të tjera, me superyllin botëror Dua Lipa.
Kur shkoi në Budapest për takime pune, takoi edhe futbollistin e njohur shqiptar, që luan me ekipin e “Ferencvaros”, i cili mbante edhe rekordin si golashënuesi më i mirë i kampionëve të Hungarisë. Në të gjithë Hungarinë, e kërkoi një shqiptar, ashtu siç bën gjithmonë në takimet e tij jashtë vendit.
Kreu i qeverisë, shfrytëzoi edhe tërmetin duke shkuar vetë me dy djemtë Alesion dhe Aurelin, të cilët shpëtuan nga një fat tragjik duke u hedhur nga dritarja. Rama si tifoz i Juventusit mundësoi që dy djemtë të takonin Cristiano Ronaldon dhe Gianluigi Buffon.
/Priza.al/