Nëntë persona janë vënë në pranga në 24 orët e fundit nga Policia e Tiranës pasi akuzohen për vepra të ndryshme penale.
Një 28 vjeçar është arrestuar pasi iu gjet një çantë, me kanabis dhe një përforcues grushti. Një grua 61 vjeçe, është prangosur pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, e ka dënuar me 20 ditë burg, për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm”.
Tre persona u kapën duke drejtuar mjetet në gjendje të dehur, dhe dy të tjerë janë shpallur në kërkim pasi akuzohen se kanë dhunuar bashkëjetuesen e një tjetër personi.
Njoftimi i policisë Tiranë:
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit E. A., 28 vjeç, pasi në vendin ku u konstatua ky shtetas, në një çantë, iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi me lëndë narkotike kanabis dhe një përforcues grushti. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 u bë ndalimi i shtetases H. D., 61 vjeçe, e konstatuar nga sherbimet e K.P.K Rinas, sepse Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, e ka dënuar me 20 ditë burg, për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm”.
Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve: G. N., 34 vjeç, pasi u kap duke drejtuar mjetin pa lejen përkatëse; E. Xh., 35 vjeç, Sh. M., 44 vjeç dhe G. N., 22 vjeç, pasi u kapën duke drejtuar mjetet përkatëse në gjendje të dehur. Më datë 19.08.2021, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe punohet për kapjen e shtetasve B. K., 28 vjeç dhe M. M., 27 vjeç,pasi dyshohet se kanë ushtruar dhunë fizike ndaj ish-bashkëjetueses së shtetasit B. K. Punohet për kapjen e tyre dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.
/Priza.al/