Shumë yje botërore u përballën me çështje komplekse ligjore gjatë vitit 2022. Juria e një gjykate në Virxhinia vendosi në favor të aktorit Johnny Depp në padinë e tij për shpifje kundër ish-gruas, aktores Amber Heard në qershor e cila kishte pretenduar se aktori kishte abuzuar me të, para dhe gjatë martesës së tyre të shkurtër. “Kundër Amber Heard, ne juria caktojmë dëmshpërblim në formë kompensimi prej 10 milionë dollarësh. Kundër Amber Heard, ne juria caktojmë dëmshpërblim në formë ndëshkimi prej 5 milionë dollarësh. Kundër Johnny Depp, ne juria caktojmë dëmshpërblim në shumën prej 2 milionë dollarësh dhe asnjë dëmshpërblim ndëshkues”, ishte vendimi i jurisë që u lexua nga një nëpunës i Gjykatës në Fairfax të Virxhinias.
Megjithëse procesi u vlerësua si triumf për aktorin Depp, vendimi tregon se juria i dha zonjës Heard të drejtë në pretendimin se ajo ishte viktimë e shpifjes nga një prej avokatëve të zotit Depp, i cili e akuzoi atë se kishte dëmtuar banesën e çiftit që apartamenti të dukej keq për policinë. Amber Heard nuk reagoi gjatë procesit gjyqësor, por më pas publikoi një deklaratë në profilin e saj në “Twitter”.
“Jam edhe më e zhgënjyer me atë që nënkupton ky vendim për gratë e tjera. Është një kthim prapa. Vendimi na kthen në kohën kur gratë poshtërohen nëse flasin publikisht për abuzimin”. Aktori Johnny Depp, i cili nuk ishte në gjykatë ndërsa u lexua vendimi, shkroi se “juria i ktheu jetën” në profilin e tij në Instagram. Aktori tjetër, Kevin Spacey u përball me akuzat për sulm seksual në dy fronte, në Londër dhe në Nju Jork.
Në Londër, aktori i serialit “House of Cards” përballet me 12 akuza, duke përfshirë për sulm seksual. Spacey, dy herë fitues i çmimit Oscar, është deklaruar i pafajshëm për akuzat se ka sulmuar seksualisht tre burra, nga viti 2004 deri më 2015, kur ishte drejtor artistik në teatrin “Old Vic” në Londër. Gjyqi i tij në Mbretërinë e Bashkuar do të fillojë më 6 qershor 2023.
Në SHBA, juria mbajti anën e Kevin Spaceyt duke hedhur poshtë pretendimin e aktorit Anthony Rapp, se u abuzua kur ishte 14 vjeç, ndërsa të dy ishin aktorë relativisht të panjohur në shfaqjet teatrale në Nju Jork më 1986. Në nëntor, një tjetër fitues i Oskarit, në kategorinë për skenarin më të mirë, Paul Haggis, u ndëshkua me një dëmshpërblim shtesë prej 2.5 milionë dollarësh në një proces gjyqësor për përdhunim. Totali i dëmshpërblimit ka shkuar në 10 milionë dollarë për një grua që tha se e kishte sulmuar seksualisht në janar të vitit 2013.
Avokatët e viktimës Haleigh Breest e quajtën vendimin të drejtë ndërsa Haggis këmbënguli se ai ishte akuzuar në mënyrë të rreme dhe ishte shkatërruar financiarisht duke u përballur me procesin. Ai është zotuar se do t’i drejtohet Gjykatës së Apelit.
Në qershor të vitit 2022, këngëtari R. Kelly u dënua me 30 vjet burg pas një gjyqi në Nju Jork ku juria e shpalli fajtor për shantazh dhe trafikim seksual. Një gjykim i dytë në Çikago përfundoi më 14 shtator me dënimin e tij për akuzat e prodhimit të pornografisë me fëmijë dhe joshjes së vajzave për marrëdhënie seksuale.
“Juria federale riktheu vendimet e fajësisë për gjashtë akuza kundër R. Kellyt. Tre nga ato vendime fajësie ishin për prodhimin e pornografisë së fëmijëve. Tre të tjera ishin shpallja fajtor për R Kellin për joshje të të miturve për t’u përfshirë në aktivitete seksuale. R Kelly dhe dy të bashkëpandehurit e tij u liruan nga akuzat e tjera për të cilat ngarkoheshin në aktakuzë”, tha prokurori amerikan, John Lausch. Në tetor, aktori Ezra Miller u deklarua se ishte i pafajshëm për vjedhjen e pijeve alkoolike nga shtëpia e një fqinji, një nga një mori arrestimesh dhe raportesh për sjellje të çrregullta nga aktori i filmave me super heronj të kompanisë “DC Comics”.
Nëse shpallet fajtor, Miller përballet me një maksimum prej 26 vitesh burg. Seanca e radhës për këtë çështje është caktuar më 13 janar 2023. Ezra Miller që luan edhe në filmat e autores J.K. Rowling, “Fantastic Beasts” u arrestua dy herë këtë vit në Hawaii, përfshirë për sjellje të çrregullt dhe ngacmim në një bar.
Prindërit e 18-vjeçares Tokata Iron Eyes, një aktiviste indigjene amerikane, kanë kërkuar gjithashtu urdhër mbrojtje kundër Millerit, duke e akuzuar aktorin për sjellje të papërshtatshme me të që në moshën 12-vjeçare. Vetë vajza e ka kundërshtuar pretendimin e prindërve.
Në maj 2022, familja Kardashian shënoi një fitore të qartë në një proces gjyqësor të nisur nga Angela White e njohur më shumë si Blac Chyna, ish-gruaja e Rob Kardashian. Chyna pretendoi se nëna dhe motrat e ish- burrit të saj Rob, Kris Jenner, Kim Kardashian, Khloé Kardashian dhe Kylie Jenner kishin shpifur kundër saj duke e quajtur të dhunshme dhe i kishin bindur producentët të anulonin serialin e saj televiziv, “Rob dhe Chyna”. Akuza u hodh poshtë nga gjykata.
Avokati i aktorit Brad Pitt tha se ai do t’i përgjigjet në gjykatë akuzave të ish-bashkëshortes, aktores Angelina Jolie se ai e ka abuzuar me të dhe ka përdorur forcën ndaj njërit prej fëmijëve të tyre brenda një avioni privat në vitin 2016. Avokati tha se Brad Pitt e ka marrë përgjegjësinë për veprimet e tij, por jo për disa aspekte të historisë së ish-bashkëshortes Jolie që i ka quajtur të pavërteta.
Deklarata ishte reagim ndaj një dosjeje të aktores Angelina Jolie dorëzuar gjykatës që thoshte se ai e kapi atë nga koka dhe e kishte shkundur me forcë. Dosja gjithashtu thoshte se Brad Pitt e kishte kapur për fyti një nga gjashtë fëmijët e tyre dhe goditi një tjetër kur ata u përpoqën ta mbronin nënën e tyre. Ish-çifti Pitt – Jolie është përfshirë edhe në një proces tjetër ligjor që ka të bëjë me pronësinë e një punishteje vere në Francë, që ishte blerë ndërsa ata ishin të martuar. Byroja Federale e Hetimeve (FBI) dhe Departamenti i Shërbimeve për Fëmijë dhe Familje të Qarkut të Los Anxhelosit hetuan akuzat, por vendosën të mos ndërmarrin asnjë veprim kundër aktorit Pitt./VOA