Autoriteti i Konkurrencës nisi një hetim në tregun e nënprodukteve të qumështit, pas raportimeve në medisa se çmimi i tyre është rritur javët e fundit. Hetimi do të përpiqet të zbulojë nëse ka marrëveshje të ndaluara apo të bashkërenduara mes kompanive për të fiksuar çmimet.
“Autoriteti i Konkurrencës, nisur nga disa informacione të bëra publike në media mbi njoftimin e ndërmarrjeve të përpunimit të qumështit, të cilat kanë lajmëruar pikat e shitjes me pakicë se, duke nisur nga data 15.02.2023, furnizimet e reja të bulmetit do të kenë çmime deri në 37% më të larta, vendosi ngritjen e Grupit të Punës për monitorimin e këtij tregu.
Duke ndarë të njëjtin shqetësim për rritjen e çmimit të produkteve të bulmetit nga ndërmarrjet në fjalë , Autoriteti po monitoron në terren me qëllim evidentimin nëse ky njoftim do të zbatohet në tregun e shitjes me pakicë dhe, mbi të gjitha, nëse kjo sjellje është abuzive e si rrjedhim në shkelje të ligjit nr.9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës” – thuhet në një njoftim të Autoritetit të Konkurrencës.
Kompanitë e mëdha të përpunimit të qumështit kanë njoftuar të gjitha pikat e shitjes me pakicë, se duke nisur që nga 15 shkurti, çmimet e gjalpit dhe djathit do të pësojnë një rritje të konsiderueshme deri në 37%.
Tregu i nënprodukteve të qumështit në Shqipëri dominohet nga dy kompani të mëdha, Lufra dhe Erzeni. Autoriteti i Konkurrencës dyshon se këto dy kompani po abuzojnë me pozitën e tyre dominuese, duke fiksuar çmimet e produkteve. Nga 9 kompani që ushtrojnë aktivitetin e tyre në këtë fushë, Lufra dhe Erzeni zënë rreth 80% të tregut. Nëse do të gjejë shkelje, kompanitë e prodhimit të këtyre produkteve do të gjobiten deri në masën e 10% të xhiros së vitit paraardhës.