Të paktën tri kompani ajrore kryesore botërore kanë raportuar anulimin e dhjetëra fluturimeve pasi sëmundjet e lidhura kryesisht me variantin Omicron të COVID-19 kanë ndikuar në uljen e numrit të personelit të ekuipazhit të fluturimeve në prag të sezonit të ngarkuar të udhëtimeve për festat e fundvitit.
Lufthansa me bazë në Gjermani tha të premten se po anulonte dhjetëra fluturime të gjata transatlantike gjatë periudhës së festave të Krishtlindjes për shkak të një “rritjeje masive” të pushimeve mjekësore në mesin e pilotëve.
Anulimet e fluturimeve për në Hjuston, Boston dhe Uashington të SHBA-së, pasojnë pavarësisht rritjes së numrit të stafit për këtë periudhë. Lufthansa tha në një deklaratë se me gjithë përgatitjet, operimi i fluturimeve ishte i pamundur për shkak të numrit të madh të punonjësve që u paraqitën të sëmurë.
Në SHBA, Delta Air Lines dhe United Airlines thanë se janë të obliguara të anulojnë dhjetëra fluturime në prag të Krishtlindjes për mungesë stafi si pasojë prekjes nga sëmundje të lidhura me variantin Omicron.
“Rritja mbarëkombëtare e rasteve me Omicron këtë javë ka pasur një ndikim të drejtpërdrejtë në ekuipazhet tona të fluturimit dhe njerëzit që drejtojnë operacionet tona”, tha United Airlines në një deklaratë për media.
“Si rezultat, për fat të keq na është dashur të anulojmë disa fluturime dhe po i njoftojmë klientët e prekur para se të vijnë në aeroport”, shton njoftimi i United Airlines.
Kjo kompani tha se po anulonte mbi 100 fluturime dhe po punonte për të ricaktuar sa më shumë njerëz që të ishte e mundur.
Delta tha se anuloi rreth 90 fluturime të premten për shkak të mundësisë së motit të keq dhe si pasojë e ndikimit të Omicronit pasi kishte “shteruar të gjitha opsionet dhe burimet – duke përfshirë ndryshimin e rrugës dhe zëvendësimin e avionëve dhe ekuipazheve për të mbuluar fluturimet e planifikuara”.
Anulimet e fluturimeve po ndodhin për shkak të shtimit të rasteve të prekura nga koronavirusi, të nxitura kryesisht nga varianti i ri Omicron.
Vendet duke përfshirë Spanjën dhe Britaninë e Madhe kanë reduktuar kohëzgjatjen e karantinave të COVID-19 për të lehtësuar mungesën e personelit duke i lejuar njerëzit të kthehen në punë më shpejt pasi janë testuar pozitivë ose janë ekspozuar ndaj virusit.
/Burimi: REL/