Mbledhja e sotme e Konferencës së Kryetarëve në Kuvend nuk ndryshonte shumë përsa i përket kohës nga seancat plenare në Parlament ku shumica miratonte pa debat gjithçka dëshironte. Në fare pak minuta të dyja palët miratuan vendimin e dakordësuar më parë dhe mbledhja në këtë ditë pushimi zyrtar ishte veçse një formalitet. Takimi në katin e katërt të Kryesisë së Kuvendit nisi me një buqetë lulesh që Bledi Çuçi ia dhuroi Elisa Spiropalit në emër të Konferencës së Kryetarëve. Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin feston sot ditëlindjen.
E vetmja që foli ishte kryetarja Lindita Nikolla, e cila lexoi dy pikat e rendit të ditës dhe hodhi vendimet për votim.
Mes buzëqeshjeve, mazhoranca dhe opozita miratuan kërkesën për ngritjen e dy komisioneve hetimore, për të dhënat e TIMS dhe koncensionet në shëndetësi. Po kështu u miratua edhe një vendim, i cili nuk thotë asgjë dhe le vend shumë për interpretim konsensus për ligjet që ka 3/5 dhe ligjet që lidhen me çështjet e integrimit evropian. S’ka asgjë të re në këtë vendim, s’ka asnjë fitore të opozitës. Marrja e dy komisioneve hetimore nuk mund të bërtet si fitore sepse ato ishin e drejta që ua jep një kushtetuta.
Dakordësia e vulosur sot duket se është thjesht një mekanizëm që opozita t’i rikthehet parlamentit të heqë dorë nga rruga radikale.