Janë botuar në Fletoren Zyrtare ndryshimet në Rregulloren e Kodit Rrugor.
Në këto ndryshime përcaktohen rregulla për Sigurinë Rrugore që lidhen me Drejtuesin e Mjetit, formimin dhe kualifikimin, lehtësim praktikash, risi për shërbimet e DPSHTRR si edhe për sektorin e Autoshkollave, masa shtrënguese etj.
Ndryshimet të publikuara nga DPSHTRR:
1.Rritet vlefshmëria e provimit të fituar të teorisë nga 6 muaj në 1 vit. Janë shtrirë afatet e vlefshmërisë së autorizimit të praktikës duke i bërë më fleksibël ato kundrejt një kategorie të gjerë, që për arsye të ndryshme, kryesisht të mosprezencës në Shqipëri nuk arrijnë të kapin afatet si dhe mundësohet një kohë më e madhe për përgatitjen e kandidatëve që japin prova të përsëritura të kualifikimit teorik apo praktik për lejedrejtimi.
2.Gjithashtu janë reformuar kërkesat e fitimit të kategorisë AM duke prezantuar edhe provën e aftësive praktike të drejtimit krahas asaj teorike në ngjashmëri me modele evropiane (psh. Gjermania). Kryhet përputhshmëri e plotë me Direktivën 2006/126/KE, të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit, e 20 dhjetorit 2006, mbi lejet e drejtimit dhe praktikat e aplikuara për pajisjen me leje së drejtimi të kategorisë AM nga disa shtete europiane.
3.Forcim i masave shtrënguese për drejtuesit e mjeteve që kanë humbur totalin e pikëve të cilët detyrimisht do të ndjekin kurs kualifikimi për një edukim mbi sjelljet e gabuara që kanë sjellë humbjen totale të pikëve të lejedrejtimit, pranë autoshkollave të licencuara! Pas këtij kursi kandidati i nënshtrohet provimit teorik për normat e sjelljes si dhe provimit praktik mbi vlerësimin e sjelljes së drejtuesit gjatë situatave me risk të lartë në qarkullim.
Ky sanksionim sjell ndërgjegjësim, rehabilitim dhe rritje të sigurisë në rrugë duke shtuar kërkesat për rifitimin e lejedrejtimit, pasi kjo kategori mbetet problematike në kryerjen e shkeljeve të përsëritura deri me pasoja të rënda.
4.Krijohet mundësia ligjore për kalimin nga lejedrejtimi e kategorisë B në lejedrejtimi të kategorisë D pas përmbushjes së kritereve të vjetërsisë prej 3 vite kategori me lejedrejtimi B dhe moshës së drejtuesit të mjetit 24 vjeç, pa qenë e nevojshme lejedrejtimi e kategorisë C. Pra nëse p.sh. synohet puna me mjet Taksi nuk ka përse kalohet nga kualifikimi për lejedrejtimi C (kategoria për transport mallrash)!
5.Mundësohet regjistrimi për marrjen e kategorisë A pasi ke mbushur moshën 24 vjeç, pa qene e nevojshme marrja e kategorisë A2 prej 2 vjetësh.
6.Për herë të parë DPPSH dhe DPSHTRR marrin rol aktiv për rritjen e sigurisë rrugore dhe pezullimin e lejedrejtimit të personave që janë përdorues të lëndëve narkotike e psikotrope! Në çdo rast që merret informacion për individë (nga kontrollet rrugore apo çdo hetim/testim tjetër) me analizë pozitive, DPPSH ia përcjell DPSHTRR-së dhe personit automatikisht i pezullohet lejedrejtimi! Pezullimi i lejedrejtimit do të vijojë deri kur të vërtetohet rezultati negativ përmes analizës toksikologjike të kryer vetëm nga institucioni shtetëror kompetent!
/Priza.al/