Policia e Vlorës ka arrestuar ditën e sotme tre persona të akuzuar për vepra të ndryshme penale.
Sipas policisë i ndaluar është një 44 vjeçar i cili ishte akuzuar për mashtrim, gjithashtu një tjetër person i arrestuar është 54 vjeçari Sh.I., i cili është dënuar për vjedhje.
Një tjetër i ndaluar është një 33 vjeçar i cili kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga gjykata, për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.
“Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Vlorë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Himarë, në vijim të punës për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të kërkuar për vepra të ndryshme penale, me mbështetjen e inteligjencës informative, kapën shtetasin e shpallur në kërkim A. S., 44 vjeç, banues në Vlorë, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kavajë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Mashtrimi”, kryer në bashkëpunim. Veprimet e mëtejshme procedurale do të kryhen nga Komisariati i Policisë Kavajë.
Gjithashtu, në vijim të punës për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë kapën dhe ndaluan shtetasin Sh. I., 54 vjeç, banues në Sarandë, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Sarandë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vjedhja”.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë arrestuan në flagrancë shtetasin A. N., 33 vjeç, pasi duke dalë nga banesa, ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga gjykata, për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve”, thuhet në njoftimin e policisë.