Diana Bahçja do të duhet të shijonte ditët e para me krijesën që mbajti 9 muaj brenda vetes, por ky nuk ishte rasti i saj. Diana është në burgun e grave, ndërsa foshnja po rritet vetëm nga i ati, burri i saj i dytë, që në pamundësi për t’i ofruar “ngrohtësinë e nënës” po i mundëson vetëm rritjen fizikisht. Ajo që ka ndodhur në rastin e kësaj gruaje, përfshirë një mungesë totale të ndjeshmërisë nga ana e gjykatës, tregon edhe farsën me mbrojtjen e grave, luftën për barazi, ndihmesën për kushte të barabarta, kauzat feministe dhe gjithçka që në këtë vend përdoret për përfitime vetjake.
Diana ishte e martuar disa vite më parë. Me bashkëshortin e saj, të dy vendosën të ndaheshin, ndërsa më mes të tyre ishte një fëmijë, një vajzë e vogël. Gjykata vendosi që palët të ndaheshin, fëmijën e mbajti babai, ndërsa Diana kishte detyrimin ti përgjigjej financiarisht. Mospërmbushja e këtij detyrimi e ka çuar sot në burg.
Por pa i hyrë sqarimit të një rrethane tërësisht familjare mes të dyve, edhe në rast se është kështu, sot problemi nuk është ky. Sot një foshnje e porsalindur nuk ka nënën afër dhe ky është thelbi që do të duhet të kishte gjyqtari që vendosi ndryshimin në vend të parë në ‘hierarkinë’ e dëmit të kësaj gruaje.
A ka rëndësi për shtetin, për shoqërinë, për familjen zbatimi i ligjit kaq me rigorozitet përpara një fëmije që nuk i mundësohet përkujdesi në javët e para të jetës? Një rast si ky, drejtësia shqiptare bën mirë ta ruajë, ta ofrojë si shembull për dehumanizmin e qenies njerëzore, që pasi pranon paratë e kujtdo krimineli, vendos të zhbëjë familjen me argumentin se ka zbatuar ligjin. Diana është profili ekzakt që tregon se për kë bëhet ligji. Me saktësinë e një sahati, shteti vepron tek hallexhiu, tek i pambrojturi, tek njerëzit që nuk kanë njohuri dhe mundësi për të gjetur gropa në sistem dhe për të përfituar prej tyre.
Ajo është sot në burg jo se po vuan dënimin, por se nuk ishte mjaftueshëm e zonja dhe e fortë për të përdorur mjetet e kudonjohura tashmë për t’ju shmangur burgut. Ato mjete që liruan nga burgu Dan Hutrën për ta patur jashtë dhe për të vrarë lirshëm 3 gra, ato mjete që çojnë në spital çdo zyrtar të korruptuar se zemra e tyre e dobët nuk e mban dot burgun, të njëjtat mjete që lanë jashtë burgut në sy të të gjithëve Fajton Muratin dhe shokët e tij, në një drejtësi që nuk ka mbajtur kurrë erë drejtësi.
Drejtësia e vulosur me çertifikatë ndërkombëtare Vettingu nuk gjen te Diana asnjë rrethanë që mund ta lehtësojë, duke harruar qëllimisht se në rastin e saj, ligji e lë të hapur mundësinë që kur nëna është shtatzënë dhe fëmija nuk i ka bërë akoma 1 vjeç, ekzekutimi i vendimit të dënimit të shtyhet. Por jo, drejtësia e ndau foshnjen nga burimi i tij i parë i jetës, sepse ligji është mbi gjithçka. Nuk ka argument më të fortë për një gjykatës sesa mungesa e qumështit të gjirit. Për këtë Dianës nuk i duhet pushteti.
Kur nuk ka kaluar asnjë javë nga 8 marsi, ato që dolën dhe bërtitën në 8 mars, nuk dolën te Burgu i grave në Tiranë. Afërsia nuk i ndihmoi t’i gjendeshin pranë një gruaje që nuk njeh ligjet, nuk ka akses në media, nuk ka asnjë instrument që mund të mbrohet përveç është nënë. Me gjasë duke numëruar ende paratë e projekteve që kanë në duar, Dianën e kanë lënë vetëm përballë një drejtësie që punon në vetëm një drejtim