Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi deklaroi se Kryesia miratoi sot mbledhjen e Kuvendit më datë 18 dhjetor.
Teksa tregoi se kërkesa e Bashës mori mbështetjen e shumicës së kryesisë, Bardhi zbuloi se Kuvendi do të nis ditën e shtunë, në orën 11:00. Mes të tjerash ai lexoi edhe pikat e rendit të ditës.
“Ju falënderoj për pritjen. Dua të informoj opinionin dhe demokratët për vendimin e marrë nga kryesia, me shumicë dërrmuese të anëtarëve. Me kërkesë të kryetarit të partisë, kryesia vendosi thirrjen e Kuvendit Kombëtar të PD ditën e shtunë më datë 18 dhjetor, ora 11:00. Me rend dite si më poshtë; vendimmarrjen e situatave politike për të mbrojtur interesat e partisë.
Ky është vendimi që ka marrë me votë të shumicës dërrmuese të PD-së. Çdo anëtar do të jetë prezent për të shprehur vendimin e tij në mbledhjen e 18 dhjetorit. Ky, e kam theksuar dhe në fjalën time, është moment i rëndësishëm. Duhet të jetë moment bashkimi, pavarësisht diferencave në mendim. Ftova dhe kolegët që mendonin ndryshe. Pati një refuzim prej tyre për të bërë rendin e ditës, pasi kanë përfshirë dhe çështje të tjera. Duke treguar edhe një herë se ajo çka ka ndodhur para 2 muajsh s’ka pasur lidhje me mbledhjen e PD apo të anëtarëve të Kuvendit për t’u dëgjuar. Në 18 dhjetori, ora 11 PD zhvillon mbledhjen e Kuvendit në Pallatin e Kongreseve.”, tha ai.
VENDIM
Nr. _____ Prot., datë 15.11.2021
Në mbështetje të nenit 43 dhe 45 të Statutit të Partisë Demokratike,
Nisur nga situata e krijuar në Partinë Demokratike pas shpalljes nga Departamenti Amerikan i Shtetit si person “non-grata” të z. Sali Berisha dhe dëmtimit të interesave politike të Partisë Demokratike në lidhje me marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në rast të mosmarrjes së masave që kërkoheshin nga ky vendim, me kërkesë të Kryetarit të Partisë, Kryesia e Partisë Demokratike në mbledhjen e datës 15.11.2021,
Vendosi:
1. Thirrjen e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike, ditën e shtunë, më datë 18 Dhjetor 2021, ora 11:00, në Pallatin e Kongreseve, me rend dite:
“I. Vendimmarrje mbi situatën politike, si dhe marrjen e masave për të mbrojtur interesin e Partisë Demokratike, duke mos lejuar që problemet apo interesat personale të secilit anëtar të dëmtojnë interesat elektorale dhe politike të PD, dhe axhendën e saj politike në përballjen me regjimin e Edi Ramës.
II. Miratimin e Aksionit Politik për të ardhmen e Partisë Demokratike dhe shpalljen e Platformës Qytetare për Demokraci, për rikthimin e legjitimitetit dhe demokracisë në vend, si dhe ndërtimin e mekanizimit të bashkëpunimit me të gjitha forcat e shoqërisë në përballjen me regjimin e Edi Ramës, i cili në aleancë me krimin e organizuar dhe korrupsionin ka shkatërruar çdo mjet të funksionimit demokratik të shtetit shqiptar dhe po nxit braktisjen masive të vendit nga qytetarët dhe kryesisht të rinjtë.
III. Miratimin e programit organizativ të Partisë Demokratike për të përgatitur strukturën e partisë për zgjedhjet e ardhshme, sipas objektivit “Partia Demokratike, partia e demokratëve dhe çdo shqiptari të ndershëm – Forca e vetme politike që do të sjellë ndryshimin në Shqipëri”.
2. Organizatat partnere, Forumi Rinor i Partisë Demokratike (FRPD) dhe Lidhja Demokratike e Gruas (LDG), në përfundim të procesit të organizimit të zgjedhjeve për organet e tyre drejtuese në përputhje me udhëzimin nr. 133, datë 05.11.2021 të Kryetarit të Partisë (për FRPD) dhe udhëzimin nr. 137, datë 06.11.2021 të Kryetarit të Partisë (për LDG), të paraqesin për miratim pranë Kryesisë së Partisë, sipas pikës 4 të nenit 58 të Statutit të PDSH, statutin e organizimit të tyre, ku të parashikohet që parimet bazë të strukturës së tyre organizative të jenë të ngjashme me ato të PDSH.
3. Çdo veprim apo akt tjetër, në çdo formë apo mënyrë, që bie ndesh me këtë vendim të Kryesisë së Partisë, do të përbënte dëmtim të interesave elektorale dhe politike të Partisë Demokratike.
4. Ngarkohet Sekretari i Përgjithshëm për marrjen e masave organizative për njoftimin dhe zhvillimin e mbledhjes së Kuvendit Kombëtar, në përputhje me nenin 47 të Statutit të PDSH.
5. Ngarkohet Sekretari i Përgjithshëm, Degët e Partisë Demokratike, FRPD dhe LDG, për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
KRYETARI
LULZIM BASHA
SEKRETARI I PËRGJITHSHËM
GAZMENT BARDHI
/Priza.al/