Gjatë një bisede me Dean, Ledjona ka folur për ndarjen nga ish-burri, lindjen e vajzës, ndarjen tjetër pas 4 vjetësh dhe transferimin në Tiranë. Ledjona tregon pengun e madh që ka për vajzën sot.
“Kemi 7 vjet që jemi ndarë. Jemi lidhur që të vegjël. Kam qenë 16 vjeçe, ku dija unë çfarë ishte dashuria. Ishim kalamanj. Kur isha 22 vjeçe unë linda vajzën. Pasi mbarova studimet pamë që nuk ishim për njëri-tjetrin. Por jemi ndarë me marrëveshje. Vajza ka pasur një marrëdhënie shumë të mirë me babanë. Ai nisi një bashkëjetesë tjetër dhe aty u ftoh pak me vajzën, por sidoqoftë kontaktet i ka pasur gjithmonë. Ne u ndamë sepse nuk po ecte më marrëdhënia jonë. Pastaj unë pata një bashkëjetesë katër vjet me dikë tjetër në Korçë. Edhe me atë kam shkuar mirë, kujdesej shumë për vajzën. Por kishte një ves, për të cilin i premtuam njëri-tjetrit që do ta luftonim bashkë, por nuk arriti të hiqte dorë, sepse pati edhe një disfatë në punët e veta sepse jetonte jashtë. Edhe unë u lodha. Kur u ndava me të nuk patëm debate. Por këtë gjë e përjetoi keq vajza. Nuk po rrija dot më aty. Edhe pse bleva shtëpinë i rregullova gjërat me 100 sakrifica, nuk rrija dot. Ika nga Korça erdha në Tiranë. Ishte janar. Nuk mund ta largoja vajzën nga shkolla, edhe e lashë me prindërit dhe gjyshërit e të atit sepse e donin shumë. E lashë deri në qershor sa të gjeja punën, shtëpinë. Kam luftuar me mish e me shpirt. Me punën më ka ecur gjithmonë. Kam punuar 3-4 punë që t’ia dal.
Se nuk kemi pasur edhe bukë të hamë. Flinim pa bukë. Por vajza nuk e jepte veten kurrë, vetëm thoshte: Mami sa e fortë je. 6 muaj në Tiranë sa u stabilizova, por shpirti im e di që e lashë vetë. Shkoja çdo javë ose dy herë në javë se nuk rrija dot pa e parë. Shkoja në shtëpi pas punë vetëm qaja.
E di çfarë kam peng në jetë? Që nuk kam mësuar ta rris sepse kam qenë gjatë gjithë kohës në terren, në punë. Nuk jam mësuar ta shoh si rritet. Nuk ndodh kurrë që ajo të dojë diçka dhe të thotë: E dua! Pyet nëse e kam marrë rrogën ose thotë nuk e dua, nëse është e shtrenjtë nuk e merr. Mora vajzën në Tiranë, ia gjeta shkollën afër shtëpisë. Ajo ikën në shkollë, unë në pune. Kur kthehet në shtëpi më thotë vetëm: Mami erdha.”, tregon Ledjona mes lotësh.