Babëzia për para dhe uria për të ndërtuar, nuk po kursen më as “parqet arkeologjike” dhe “zonat e mbrojtura”, të cilat në këtë stinë ndërtuesve dhe atyre që e kanë mirë me qeverinë, u duken si “llokma” të majme për t’i gllabëruar.
Nisur nga kjo, duket se shumë ndërtues kanë gjetur “dashamirësinë” edhe të ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, i cili me zemërgjerësi po u lehtëson anën proceduriale dhe po lëshon hapësira nga parqet dhe zonat e mbrojtura.
Pikërisht një projektvendim i Ministrisë së Mjedisit, synon që të heqë nga hartat e zonave të mbrojtura rreth 15.000 ha sipërfaqe toke, e gjitha kjo për t’u hapur rrugë investimeve.
Sipas projektvendimit të siguruar nga mediat, zonat që diskutohet të preken janë në vijën bregdetare, ku është e përqendruar rreth 75% e specieve me rëndësi kombëtare dhe ndërkombëtare, duke përmendur Velipojën, Karavastanë, Nartën etj.
Zonat e mbrojtura natyrore dhe turistike në vendin tonë, janë konsideruar si pjesë tokësore dhe ujore të mbrojtura për shkak të shumëllojshmërisë biologjike të pasurive natyrore dhe kulturore që ofrojnë. Këto zona mbrohen nga shteti dhe numërohen rreth 384 të tilla.
Ato ndahen në 6 kategori sipas rëndësisë: 4 zona rreptësisht të mbrojtura, ku përfshihen Laguna e Karavastasë (Lushnjë), Lumi i Gashit (Tropojë), Rrajca (Librazhd) dhe Kardhiqi (Gjirokastër), 11 parqe kombëtare; 300 monumente natyrore; 26 zona të menaxhuara, 4 peizazhe të mbrojtura tokësore ose detare, si dhe 4 zona të mbrojtura burimesh.
Zonat e mbrojtura zënë një sipërfaqe të përgjithshme 109 050 ha, 10,5% të fondit pyjor dhe 3,8% të sipërfaqes së përgjithshme të vendit.
/Burimi: Ora News/Përshtati: Priza.al/