Dallimi midis një gabimi dhe një ideje të shkëlqyer është shpesh minimal. Sidomos në kinema. Duke kërkuar mes filmave më të njohur, do të gjeni qindra skena të xhiruara gabimisht, të cilat më pas rezultuan të ishin ikonike dhe shpesh më të paharrueshmet nga i gjithë filmi.
Le të marrim për shembull “The Godfather”. Skena në të cilën Don Vito Corleone jep urdhrat e tij ndërsa përkëdhel një mace, lindi rastësisht. Thuhet se macja ka hyrë në xhirime dhe pasi është shtrirë, aktori ka filluar ta përkëdhelë pa pushuar. Por ky është vetëm një nga shembujt e shumtë të gabimeve që janë bërë klasike. Ja disa prej tyre.
The Dark Knight
Joker që duartroket me një shprehje sarkastike në “The Dark Knight” është i paharrueshëm. Nuk ka qenë kurrë në skenar: duket se ka qenë ide e Heath Ledger dhe pyetja mbetet nëse është një improvizim apo një gabim i vërtetë.
Rocky
Këtu është një tjetër klasik. Siç dihet, Rocky është xhiruar me një buxhet shumë të reduktuar, aq sa shumë persona që dalin në film nuk janë figurantë profesionistë, por njerëz realë, të cilët gjatë xhirimeve kanë qenë duke shëtitur nëpër Filadelfia pa e ditur se janë duke marrë pjesë në një film. Ishte pikërisht një nga këta ‘aktorë’ që hodhi portokallin që i binte Stallones në kokë: ai ishte tregtar dhe e bëri gjestin me iniciativën e tij, as që e imagjinonte që do të përfundonte në një nga filmat më të ndjekur ndonjëherë.
Django Unchained
Dora është e kuqe si gjaku dhe, po, është me të vërtetë gjak. Në “Django Unchained”, Leonardo di Caprio kishte prerë vërtet dorën me xham, por pavarësisht nga fatkeqësia ai vazhdoi të vepronte.
Titaniku
Di Caprio sërish. Fraza që djaloshi te Titaniku që bërtet në erë “Unë jam mbreti i botës” u krijua në moment nga James Cameron, pasi provoi fraza të ndryshme, por asnjëra nuk funksionoi.
Mrs. Doubtfire
Hapi midis gabimit dhe improvizimit është vërtet i shkurtër. Në Mrs. Doubtfire, për të mos zbuluar identitetin e tij të vërtetë, Robin Williams mbulon fytyrën e tij me tortë. Megjithatë, për shkak të dritave të ngrohta të skenës, kremi ishte shkrirë më herët se sa pritej dhe kishte përfunduar në dy filxhanë çaji. Më pas aktori improvizoi një batutë që u mbajt në montazhin përfundimtar: “Ai tani ka sheqerin dhe kremin e tij”.
Indiana Jones
E pamundur të harrohet kur Indiana Jones me një pamje arrogante qëllon shpatarin agresiv në “Raiders of the Lost Ark”. Skena origjinale paraqiste një luftë të vërtetë me shpatë, por Harrison Ford ishte sëmurë, ishte helmuar nga ushqimi. Aktori nuk mund ta përballonte skenën dhe kështu Steven Spielberg zgjodhi që ta qëllonte.
Lock & Stock
Fytyra e habitur e “Nico the Greek” që thyen tryezën e bosit Rory Breaker në Lock & Stock me një gotë është reale. Tavolina u thye rastësisht dhe aktori mbeti pa fjalë.
The 40-Year-Old Virgin
Duke folur për reagime realiste, Steve Carell’s njihet si një i virgjër 40-vjeçar. Për t’u dukur realist, ai zgjodhi që në fakt ta depilonte gjoksin dhe shprehja e dhimbjes që vijon është e vërtetë.
Blade Runner
E pabesueshme, por e vërtetë, skena e Blade Runner ku Daryl Hannah arratiset, rrëshqet dhe thyen një dritare fugoni me bërryl nuk ishte planifikuar. Aktorja kishte rrëshqitur vërtet dhe kishte përfunduar në spital me bërryl të thyer.
Forrest Gump
Mbani mend kur Forrest Gump i thotë Bubba-s “Emri im është Forrest Gump. Të gjithë më quajnë Forrest Gump”. Epo, kjo është një shaka e lindur nga një gabim i Tom Hanks dhe nuk u hoq.
The Silence of the Lambs
Një nga veçoritë e Hannibal Lecter është fëshfërima që lëshon teksa flet. Epo është improvizuar nga Anthony Hopkins dhe reagimi i Jodie Foster-it i parë në film është i vërtetë. Ai nuk e priste një gjë të tillë.
The Usual Suspects
Skena nga “The usual suspects” me protagonistët që qeshin me zë të lartë, ndërsa po fotografoheshin nuk ishte parashikuar në skenarin origjinal. Mësohet se aktorët nuk e ndalën dot të qeshurën, pasi njëri prej tyre kishte probleme me zorrët dhe kështu regjisori zgjodhi ta linte ashtu siç ishte.
Rain Man
Duke folur për problemet me zorrët, në “Rain Man” në një moment Dustin Hoffman ka realisht probleme me zorrët, ndërsa është në kabinë telefonike me Tom Cruise. Më pas aktorët vazhduan të interpretonin duke improvizuar dhe prej aty lindi një nga skenat më të famshme të të gjithë filmit.
Dirty Dancing
E pamundur të heqësh nga mendja skenën ku Patrick Swayze dhe Jennifer Grey afrohen drejt njëri-tjetrit në Dirty Dancing. Ishte vetëm nxehje para xhirimit, por këtë skenë regjisori zgjodhi ta përfshijë edhe në variantin përfundimtar.
The Lord of the Rings – The Two Towers
Një rastësi vërtet fatlume. Në Lord of the Rings – The Two Towers në një moment shohim një flamur që shkëputet nga shtylla dhe fluturon larg. Duket një metaforë e shkatërrimit të mbretërisë, por në realitet flamuri u hoq gabimisht.
/Priza.al/